Maqedoni
Seri tërmetesh në Ohër, Ekspertët: Nuk ka nevojë për shqetësim
16.06.2025 14:39
Një seri tërmetesh janë ndjerë mbrëmjen e kaluar në Ohër,...

Një seri tërmetesh janë ndjerë mbrëmjen e kaluar në Ohër, më i fuqishmi prej të cilëve ka qenë në orën 04:34 minuta prej 3.8 shkallësh. Epiqendra e tërmetit ka qenë 9 kilometra në veri të Ohrit, përkatësisht në fshatrat Kosel dhe Opejnicë. Nuk janë regjistruar dëme, por dridhja e tokës i ka shqetësuar qytetarët e Ohrit, por edhe turistët që po pushojnë buzë liqenit të Ohrit.
“Dridhje e fuqishme. I shqetësoi qytetarët.”, - tha një qytetar.
“E ndjeva dhe prita ndoshta mund të përsëritet.”, - tha një qytetare.
“Po, e kemi ndjerë.”, - u shpreh një qytetar.
“Po, në 4 e gjysmë kishte dridhje. Isha i zgjuar.”, - u shpreh një qytetar tjetër.
Edhe para 8 vitesh, që nga 18 korriku deri në fund të gushtit, në rajonin e Ohrit u regjistruan një seri tërmetesh. Por, ekspertët thonë se nuk ka vend për shqetësim të qytetarëve.
“Tërmet i këtillë mund të gjenerojë disa tërmete më të vogla, të cilët qytetarët edhe mund të mos i ndjejnë, për dallim nga viti 2017 kur u regjistruan mbi njëmijë tërmete. Megjithëse nuk mund të parashikohet me saktësi nëse do të ketë dridhje të reja, nuk pritet. Qytetarët duhet të jenë të qetë se dridhjet e këtilla nuk shkaktojnë kurrfarë dëmesh.”, - theksoi sizmologu, Mihail Garevski.
Nga tërmeti i sotëm, dridhjet e tokës janë ndjerë edhe në pjesën kufitare të Shqipërisë.
VLORA LATIFI TOPOJANI
