Ekonomi
"ONE STOP DIGITAL", platforma digjitale për ndërmarrjet e vogla e të mesme
16.06.2025 15:21
Oda Ekonomike ka prezantuar platformën digjitale për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, "ONE STOP DIGITAL"....

Oda Ekonomike ka prezantuar platformën digjitale për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, "ONE STOP DIGITAL", e cila është e destinuar për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme. Sipas organizatorëve, platforma në fjalë përfaqëson një vend të vetëm për informacione dhe mundësi komunikimi më të lehtë, në mënyrë që përmes një aplikacioni celular këto kompani të kenë qasje të shpejtë dhe digjitale në të gjitha shërbimet. Sipas kryetares së Qendrës, Gabriela Kolibanova, përveç lehtësive, do të mundësohet që edhe komunikimi mes kompanive dhe Odës Ekonomike të jetë i shpejtë dhe efikas për të gjitha sfidat me të cilat përballen kompanitë.
“Po prezantojmë një mekanizëm shumë të rëndësishëm për këto tipa të kompanive. Kjo platformë ka për qëllim që në mënyrë të shpejtë të gjitha informacionet të përcillen deri te kompanitë, e më pas do t’ju mundësojë të njëjtave t’i japin shpjegimet e tyre, por edhe të kërkojnë informacione plotësuese. Duhet ta dimë se çdo zhvillim, edhe më i vogli, së pari godet kompanitë mikro, të vogla dhe të mesme dhe prandaj përmes kësaj platforme, qëllimi është t’u ofrojmë informacione me kohë, por edhe solucione ndihmëse.”, - deklaroi Gabriela Kolibanova nga Oda Ekonomike.
Ndërsa Sonja Ingilizova nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim theksoi se plani strategjik i kësaj banke evropiane është t’i ndihmojnë platformat digjitale.
“Ne si bankë, një nga synimet tona kryesore gjatë këtij mandate është që t’u ndihmojmë kompanive të vogla dhe të mesme në zhvillimin e tyre, përmes instrumenteve të ndryshme të financimit, por edhe këshillave falas. Kjo platformë do të jetë një ndihmesë e madhe për këto kompani. Ne jorastësisht përkrahim platforma digjitale, sepse kjo është prioriteti strategjik i bankës sonë, sepse përmes digjitalizimit mundësohet zhvillimi i tyre si kompani më shpejt.”, - theksoi Sonja Ingilizova nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Platforma digjitale u krijua me ndihmën e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, me qëllim vazhdimin e tranzicionit ekonomik të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të qëndrueshme dhe për të zhvilluar një infrastrukturë të qëndrueshme të shërbimeve këshillimore për bizneset e tyre.
FITIM KRYEZIU
