Botë
Konflikti Izrael – Iran, sulme dhe viktima nga të dyja palët
16.06.2025 15:24
Vazhdojnë luftimet mes Izraelit dhe Iranit...

Vazhdojnë luftimet mes Izraelit dhe Iranit. Sulmet raketore izraelite goditën qytetin perëndimor të Kermanshahut, duke dëmtuar pjesë të një spitali lokal dhe duke plagosur pacientë. Raportohet për të vrarë dhe ta plagosur. Si përgjigje e këtij sulmi, Irani goditi me raketa drejt Izraelit, disa nga raketat që anashkaluan sistemet e mbrojtjes ajrore goditën Tel Avivin dhe zonat përreth tij. Presidenti izraelit, Isak Herzog, vizitoi vendin e ngjarjes në Petah Tikva.
“Regjimi dha urdhra për të na eliminuar në mënyra të ndryshme dhe sigurisht që po nxiton drejt aftësive bërthamore, ndërsa operon me përfaqësues terroristë në të gjithë botën. Jam i sigurt se do ta kalojmë këtë kapitull dhe duhet të shohim përpara. Iranit nuk mund t'i lejohet të ketë ndonjë aftësi bërthamore.”, - deklaroi presidenti i Izraelit, Isak Herzog.
Presidenti izraelit i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare të mbështesë Izraelin dhe ta bëjë të qartë se Irani nuk duhet të ketë aftësi bërthamore. ShBA-ja dhe vendet e BE-së vazhdojnë ta mbështesin Izraelin, ndërsa Iranin e konsiderojnë si kërcënim.
“Izraeli ka të drejtë të mbrohet. Irani është burimi kryesor i paqëndrueshmërisë rajonale dhe ne gjithmonë kemi qenë shumë të qartë se Irani nuk mund të ketë kurrë një armë bërthamore. Ne kemi shprehur shqetësimet tona të forta në lidhje me programin bërthamor dhe të raketave balistike të Iranit.”, - theksoi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen.
Ministria e Jashtme iraniane deklaroi se mbështetja e pakushtëzuar e qeverive perëndimore për agresionin izraelit në të gjithë rajonin rrezikon paqen botërore, ndërsa dënoi "hipokrizinë" në ngatërrimin e roleve të agresorit dhe viktimës.
“Jondëshkueshmëria e këtij regjimi së bashku me mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve perëndimore e ka vënë paqen dhe sigurinë rajonale dhe globale nën një kërcënim të paparë. Këshilli i Sigurimit i OKB-së duhet të përmbushë detyrat e tij. Deklaratat e tyre kërkojnë të justifikojnë agresionin, duke barazuar pozicionin e agresorit me atë të vendit nën sulm. Thirrje për përmbajtje nga Irani - nuk janë gjë tjetër veçse hipokrizi, asgjë tjetër veçse papërgjegjësi.", - u shpreh zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmeil Baqaei.
Irani gjithashtu i kërkon Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike të OKB-së të dënojë sulmet izraelite ndaj centraleve bërthamore të saj.
"Bordi duhet ta dënojë agresionin izraelit në termat e tij më të ashpra dhe ta mbajë atë përgjegjës. Përndryshe, pasojat do të jenë edhe për ata që e mbështesin këtë regjim agresiv vrasës fëmijësh.", - deklaroi ambasadori i Iranit në Anea, Reza Najafi.
Që Irani të mos posedojë armë bërthamore, duhet zgjidhje diplomatike dhe jo luftarake, thotë kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, i cili paralajmëron për pasojat shkatërruese.
“Përshkallëzimi ushtarak kërcënon jetën, rrit mundësinë e një lëshimi radiologjik me pasoja serioze për njerëzit dhe mjedisin dhe vonon punën e domosdoshme drejt një zgjidhjeje diplomatike për sigurimin afatgjatë që Irani të mos posedojë armë bërthamore.”, - theksoi drejtori i përgjithshëm i Aneas, Rafael Mariano Grosi.
Përshkallëzimi bëhet edhe më i rrezikshëm pasi Irani përgatitet të dalë nga Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore. Ministria e Jashtme e Iranit ka deklaruar se Parlamenti në Iran përgatit një projektligj për të dalë nga ky Traktat. Traktati hyri në fuqi në vitin 1970, synon të parandalojë përhapjen e armëve bërthamore dhe përfundimisht të arrijë një botë pa armë bërthamore. Që nga 13 qershori kur Izraeli nisi sulmet ndaj Iranit, si kundërpërgjigje Irani ka lëshuar 370 raketa balistike, drejt Izraelit duke goditur 30 caqe. Në këto sulme thuhet se kanë humbur jetën 24 persona, ndërsa 592 të tjerë janë plagosur, përfshirë 10 në gjendje të rëndë. Ndërkohë që shefi i Shtabit të Iranit, komandanti i Përgjithshëm i Gardës Revolucionare, disa komandantë të lartë dhe 9 shkencëtarë bërthamorë vdiqën nga sulmet izraelite, duke përfshirë edhe 224 civilë.
FARIJE DAUTI BAKIJU
