Maqedoni
Qytetarët e RMV-së në Izrael, Mickoski: Fillon organizimi për evakuim
16.06.2025 15:43
Mickoski njoftoi se të gjithë qytetarët e RMV-së që ndodhen në Izrael janë mirë....

Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut që ndodhen në Izrael janë mirë. Deri tani nëntë persona janë paraqitur për evakuim. Ata fillimisht do të dërgohen në Egjipt, e më pas do të transportohen me avion qeveritar për në vend. Deri tani, 22 qytetarë kanë kërkuar ndihmë për të lënë Izraelin dhe për t’u kthyer në vend.
“Po, vazhdimisht jam në komunikim me ministrin për Punë dhe Tregti të Jashtme, Mucunskin. Edhe dje, edhe sot kemi biseduar. Tashmë po organizohet transporti për ata që duan ta lëshojnë Izraelin dhe të kthehen në Maqedoni. Do të angazhohet avioni i Qeverisë. Po bëhen përpjekje për evakuim në vendet fqinje, me shumë gjasa do të jetë Egjipti. Për momentin janë paraqitur nëntë persona dhe pres që sot ose nesër të nisë evakuimi.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Ministria e Punëve të Jashtme njofton se është në komunikim të vazhdueshëm me qytetarët tanë dhe apelon që të shmangen udhëtimet drejt vendeve të këtij rajoni, derisa të përmirësohet situata e sigurisë.
"Theksojmë se përfaqësia diplomatike-konsullore në Tel Aviv është në kontakt të përhershëm me shtetasit tanë. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregti të Jashtme po punon në mënyrë aktive për sigurimin e të gjitha kushteve për kthimin e tyre të sigurt.", njoftojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Sa i përket pasojave ekonomike dhe financiare për RMV-në nga konflikti, veçanërisht nga rritja e mundshme e çmimeve të derivateve, ministrja e Financave Gordana Dimitrieska Koçoska tha se Qeveria po ndjek nga afër bursat botërore.
“Do të ndjekim se çfarë po ndodh. Ka pasur vite kur kishim çmime shumë të larta. Le të kthehemi pas dhe t’i shohim. Tani për tani nuk kemi ndonjë çmim shumë të lartë të derivateve, por do të shohim se çfarë do të ndodhë në bursat botërore. Këtu Qeveria nuk mund të ketë ndikim, sepse çmimet formohen në bursat ndërkombëtare.”, - theksoi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska.
Ekspertët theksojnë se RMV-ja, si një ekonomi e vogël, është vazhdimisht e ndjeshme ndaj zhvillimeve globale.
“Ne kemi përjetuar kriza të njëpasnjëshme, luftërat po vazhdojnë. Për momentin nuk mund të themi diçka konkrete për goditjet në çmime. Ne jemi një ekonomi e vogël dhe të gjitha tronditjet dhe zhvillimet globale reflektohen te ne.”, - u shpreh Gabriela Kullebanova nga Qendra për të rinj, kompani të vogla dhe të mesme.
Rreth 40.000 shtetas të huaj, shumica prej tyre turistë, janë aktualisht të bllokuar në Izrael për shkak të konfliktit të vazhdueshëm me Iranin, njoftoi Ministria izraelite e Turizmit. Pas përshkallëzimit të përplasjes, shumë linja ajrore kanë anuluar fluturimet, duke i vënë udhëtarët përballë dilemës: të qëndrojnë dhe të presin përfundimin e konfliktit apo të kërkojnë rrugë alternative përmes vendeve fqinje.
FLORIJE KAMBERI
