Rajon

Në Tiranë mbahet samiti i SEECP-së, kërkohet zgjidhje diplomatike nga Irani e Izraeli

16.06.2025 16:35

Tirana bëri sërish bashkë liderë të vendeve evropiane në samitin e radhës të “Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore”...

Tirana bëri sërish bashkë liderë të vendeve evropiane në samitin e radhës të “Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore”. Shefi i diplomacisë shqiptare, Igli Hasani, i kërkoi Iranit t’i ndalë menjëherë sulmet, ndërsa palëve të gjejnë zgjidhje diplomatike.
 
Duke e parë forumin e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore si hap plotësues drejt BE-së, Hasani tha se objektivi për Shqipërinë të integruar brenda vitit 2030 është i arritshëm.
 
“Me çeljen e grup-kapitujve negociues, Shqipëria është në rrugën e duhur për të çuar përpara anëtarësimin. Synimi ynë është ambicioz, por edhe i arritshëm për të çelur deri në fund të këtij viti dhe të përmbyllim negociatat deri në vitin 2027. Po punojmë me vendosmëri për ta bërë Shqipërinë gati për anëtarësimin e plotë në BE përpara fundit të kësaj dekade.  Ky është objektiv rajonal. Suksesi i fqinjëve tanë është suksesi ynë.”, - theksoi ministri i Jashtëm, Igli Hasani. 
 
Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), mbetet forumi më i rëndësishëm politik në Evropën Juglindore, që synon bashkëpunim për paqen, sigurinë, stabilitetin, zhvillimin ekonomik, politik e shoqëror të të gjitha vendeve të rajonit. Shqipëria e mbajti presidencën për 1 vit, ndërsa në përfundim të samitit, presidenti Bajram Begaj do t’i dorëzojë kryesimin homologut bullgar.
 
LULJETA NDOKA