Maqedoni
Përfaqësimi i shqiptarëve, VLEN: Rritet përfaqësimi në sektorin energjetik
17.06.2025 14:14
VLEN njofton për 8 punësime në Shoqatën Aksionare për Ushtrimin e Veprimtarisë Energjetike “Nomagas”, Shkup....

Punësime të shqiptarëve në sektorin energjetik. Koalicioni VLEN njofton për 8 punësime në Shoqatën Aksionare për Ushtrimin e Veprimtarisë Energjetike “Nomagas”, Shkup. Sipas tyre, përfaqësimi i shqiptarëve për nëntë muaj ngjitet në 44.4%. Nuk munguan kritikat drejtuar BDI-së për punësime minimaliste brenda 22 viteve në këtë institucion.
“ShA për Ushtrimin e Veprimtarisë Energjetike “Nomagas” - Shkup, në pronësi shtetërore, ka shpallur konkurs për 18 vende të reja pune. 8 prej tyre janë fituar nga qytetarë shqiptarë, falë qasjes së drejtë dhe profesionale që po zbatohet në këtë institucion nën drejtimin e drejtorit, Muhamet Elmazi. BDI në periudhën 2002–2024, nga 84 punësime në këtë ndërmarrje, 11 prej tyre kanë qenë shqiptarë, përfaqësim i mjerueshëm prej 13.1%.”, thonë nga koalicioni VLEN.
ASh: Diskriminim në drejtoritë që udhëheq VLEN-i
Nga ASh-ja e Arben Taravarit thonë se pretendimet e koalicionit VLEN janë vetëm iluzion, larg pasqyrës reale të përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve në institucione.
“Jo më shumë se 18.6% përfaqësim shqiptar në “Nomagas” - Shkup, një përqindje që nuk e përmbush as minimumin e garantuar me ligj, e jo më të jetë sukses. Ndërkohë, VLEN-i mashtron publikisht duke pretenduar se ka arritur përfaqësim 44.4%. Në të vërtetë ka dështuar të korrigjojë padrejtësinë shumëvjeçare dhe diskriminimin etnik në këtë ndërmarrje shtetërore, edhe pse kishte mundësinë dhe kompetencën ta bënte.”, thonë nga ASh-ja e Arben Taravarit.
Përplasjet midis VLEN-it dhe Aleancës së Taravarit rreth përfaqësimit të drejtë kanë vijuar ditëve të fundit me punësimet e 38 shqiptarëve në Drejtorinë e Librave Amë, si dhe 60 të tjerëve në posta.
MERAL ISMAILI
