Botë
Lufta në Lindjen e Mesme, Iravani: ShBA-ja mbështet agresionin izraelit
17.06.2025 14:44
Tensionet në Lindjen e Mesme janë në rritje e sipër....

Tensionet në Lindjen e Mesme janë në rritje e sipër. Pas thirrjes së presidentit amerikan për evakuim të menjëhershëm të qytetarëve të Teheranit, mëngjesin e sotëm qendra e Teheranit filloi të zbrazet. Radhë të gjata në pompat e benzinës dhe kaos trafiku dhe panik. Irani mbështet qëndrimin se ShBA-ja është njësoj përgjegjëse për sulmet. Mbi 200 viktima në anën iraniane, ndërsa mbi 20 në Izrael.
“Forcat amerikane mbështetën agresionin izraelit. Pa armë, zbulimet dhe pa mbështetjen politike të ShBA-së, ky sulm nuk do të mundej të ndodhë. ShBA-ja e ndan përgjegjësinë për këtë akt joligjor.”, - deklaroi përfaqësuesi i Iranit në Kombet e Bashkuara, Amir Said Iravani.
Netanjahu: Interes i Amerikës të mbështesë Izraelin
Ndërkohë, sërish sirena për sulme ajrore në Izraelin qendror dhe jugor për shkak të sulmeve me raketa balistike nga Irani. Popullata civile kaloi edhe një natë tjetër në strehimore. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, thekson se në interes të Amerikës është të mbështesë Izraelin në qëllimin që të eliminojë programin nuklear të Iranit.
“Ne nuk luftojmë vetëm kundër armikut tonë, ne luftojmë edhe kundër armikut tuaj. Ata bëjnë thirrje për vdekje ndaj Izraelit dhe Amerikës. Ne jemi në rrugën e tyre dhe kjo do të mund që së shpejti të arrijë deri në Amerikë.”, - theksoi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Tramp: Ndërprerje të vërtetë të konfliktit
Presidenti i ShBA-së, Donald Tramp, ka shprehur se synon një “fund të vërtetë” të konfliktit midis Izraelit dhe Iranit, duke theksuar se nuk është i kënaqur vetëm me një armëpushim të thjeshtë. Pas kthimit të tij nga samiti i G7-ës në Kanada, Trampi u shpreh para gazetarëve se ai kërkonte diçka më të thellë dhe më të qëndrueshme se një ndalim të armiqësive. Presidenti amerikan nënvizoi se nuk ishte angazhuar për bisedime paqeje me Iranin dhe e kritikoi atë për refuzimin e një marrëveshjeje që ishte paraqitur më herët.
“Nuk kërkoj ndërprerje të luftimeve, kërkojmë diçka më mirë se sa armëpushimi. Irani nuk mund të ketë armë bërthamore. Shumë e thjeshtë. Nuk ka nevojë që shumë të ndërhyjmë në këtë. Thjesht, nuk mund të kenë armë bërthamore.”, - u shpreh presidenti i Amerikës, Donald Tramp.
Ndërkohë, një nga anijet ushtarake më të mëdha në botë, bartësi amerikan i aeroplanëve Nimic, është nisur në Lindjen e Mesme. Paraprakisht Londra dërgoi aeroplanë luftarakë dhe pajisje të tjera luftarake si mbështetje e aleatëve nga operacione eventuale. Teherani kërkoi që ShBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca të qëndrojnë larg konfliktit, në të kundërtën bazat e tyre do të bëhen qëllime legjitime. Presidenti iranian ka theksuar se nuk dëshirojnë të zgjerojnë luftën me Izraelin, por që në mënyrë proporcionale do t’i përgjigjen çdo sulmi.
FLORIJE KAMBERI
