Maqedoni
Evakuimi i shtetasve të RMV-së nga Izraeli, tetë shtetas priten të arrijnë së shpejti
17.06.2025 14:57
Tetë qytetarët e parë nga Maqedonia që po evakuohen nga Izraeli priten të arrijnë sonte ose më së voni në mëngjes në aeroportin e Shkupit...

Tetë qytetarët e parë nga Maqedonia që po evakuohen nga Izraeli priten të arrijnë sonte ose më së voni në mëngjes në aeroportin e Shkupit, ndërsa 20 të tjerë janë ende në pritje të largimit. Grupi i parë, në mesin e të cilëve edhe katër fëmijë, janë nisur mëngjesin e sotëm nga Izraeli drejt Egjiptit përmes një autokolone të organizuar nga disa shtete. Aktualisht ndodhen në kufirin mes Izraelit dhe Egjiptit dhe priten të transportohen me automjete deri në qytetin Sharm El Sheikh, ku në aeroport i pret aeroplani qeveritar.
Ndërkohë, 20 shtetas të tjerë maqedonas që kanë kërkuar evakuim do të duhet të presin hapjen e hapësirës ajrore mbi Izraelin për t’u larguar nga aeroporti i Tel Avivit. Nga të dhënat e Ministrisë së Punëve të Jashtme, në Izrael ndodhen qindra shtetas të Maqedonisë së Veriut, shumica prej të cilëve kanë vendosur të qëndrojnë atje për momentin. Ambasada e RMV-së në Tel Aviv është në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët dhe nëse paraqesin kërkesë për evakuim, do t’u mundësohet largimi nga vendi.
Ndërkohë, sa i përket stafit të ambasadës sonë në Izrael, dje Ministri i Punëve të Jashtme dhe tregtisë së jashtme, Timço Mucunski, njoftoi se janë në një vend të sigurt dhe mbeten vazhdimisht në dispozicion të qytetarëve maqedonas. Ai gjithashtu bëri thirrje të gjithë qytetarëve tanë të përmbahen nga udhëtimet në Izrael dhe Iran, përveç në raste të domosdoshme absolute. Shtabi i krizës është aktiv dhe, përveç Izraelit, është i gatshëm të veprojë edhe nëse paraqiten shtetas të Maqedonisë në Iran që kërkojnë evakuim.
FLORIJE KAMBERI
