Maqedoni

Propozim-ndryshimi i Kodit Zgjedhor, Fronti Evropian dhe E Majta kundër, kërkojnë konsensus

17.06.2025 15:30

Debati për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Zgjedhor ka vazhduar në seancën e 53-të të Kuvendit....

Deputetët e Frontit Evropian mbeten të mendimit se propozimet për ndryshimin e Kodit duhet të tërhiqen dhe të mos kalojnë përmes procedurës së përshpejtuar. Deputetja Rina Ajdari theksoi se është e domosdoshme të zhvillohet debat dhe të arrihet konsensus i gjerë mes të gjitha partive politike, si dhe përfshirja e shoqërisë civile, për të siguruar një proces sa më demokratik.
 
“Vërejtjet tona lidhen me mënyrën dhe praktikën me të cilën synohet ndryshimi i Kodit Zgjedhor. Historikisht është arritur një konsensus i përgjithshëm për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, por kësaj here po shohim një përpjekje të hapur për të ndryshuar rregullat e lojës zgjedhore në mënyrë të njëanshme, pa konsensus politik dhe pa përfshirjen e opozitës, përveç LSDM-së që i dha mbështetje këtij propozim-ligji. Është e papranueshme që ndryshime kaq të rëndësishme të bëhen vetëm mbi vullnetin e njëanshëm.”, - deklaroi Rina Ajdari nga Fronti Evropian.
 
Edhe E Majta shprehi qëndrimin se nuk do të votojë ndryshimet dhe plotësimet e Kodit Zgjedhor.
 
“Ne do të votojmë kundër këtyre ndryshimeve, sepse ndryshimet që miratohen me procedurë të shkurtuar i konsiderojmë jolegjitime dhe të njëanshme, pa asnjë kusht për përfshirjen e të gjithë aktorëve politik.”, - theksoi Amar Mecinoviq nga E Majta.
 
Nga ana tjetër ka replikuar deputeti i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski duke sqaruar se propozimi për ndryshimet në Kodin Zgjedhor u është dhënë paraprakisht deputetëve për shqyrtim dhe se për ndryshime më të mëdha po punon një grup i Ministrisë së Drejtësisë me përfshirjen e shoqatave joqeveritare.
 
“Nuk shoh arsye që të kapeni pas listave të pavarura, të cilave po u jepet mundësia të kandidojnë. Sa i përket ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, ligji ju është dhënë për shqyrtim para nënshkrimit dhe ka pritur 24 orë për pajtim me ndryshimet. Këto ndryshime adresojnë boshllëqet ligjore, ndërsa për ndryshime më të mëdha, Ministria e Drejtësisë ka formuar grup pune ku do të përfshihen edhe shoqatat joqeveritare për të krijuar një Kod Zgjedhor të pranueshëm për të gjithë.”, - u shpreh Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.
 
Ndryshimet e propozuara lidhen me korrigjimet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që anuloi nenet 17 dhe 18 për numrin e nënshkrimeve që duhet të mblidhen nga kandidatët e pavarur për kryetarë komunash dhe këshilltarë. Sipas ndryshimeve, numri i nënshkrimeve përcaktohet në varësi të madhësisë së komunës, nga 100 nënshkrime për komunat me deri në 10.000 votues, deri në 3.500 për qytetin e Shkupit. Këto ndryshime synojnë të saktësojnë dispozitat ligjore dhe t’i përshtaten rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it.
 
Kujtojmë se një javë më parë, propozimi për një njësi zgjedhore, i paraqitur nga kryetarja e Partisë Liberal Demokratike, Monika Zajkova dhe Lidhja Demokratike e Pavle Trajanovit nuk mori shumicën e nevojshme, pasi e mbështetën vetëm 19 deputetë, megjithëse shumica e partive, përfshirë ato nga komunitetet e vogla etnike dhe partitë më të mëdha, ishin deklaruar për një njësi zgjedhore.
 
ARMEND MURSELI