Rajon

VV, PDK dhe LDK flasin për qasjen e Trampit: Roli i ShBA-së mbetet i mirëpritur në Kosovë

17.06.2025 16:16

Partitë politike në Kosovë kanë komentuar deklaratën e presidentit amerikan Donald Tramp për riangazhim në dialogun Kosovë-Serbi....

Partitë politike në Kosovë kanë komentuar deklaratën e presidentit amerikan Donald Tramp për riangazhim në dialogun Kosovë-Serbi. Pretendentja për postin e kryeparlamentares, Albulena Haxhiu, duke komentuar deklaratën e presidentit amerikan, tha se roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë dhe mbetet i mirëpritur nga Republika e Kosovës.
 
“Ne mirëpresim në vazhdimësi rolin e ShBA-së në raport me Republikën e Kosovës. Ata janë partnerë strategjikë, siç e ka përmendur edhe kryeministri Kurti. Prandaj, roli i tyre është i domosdoshëm.”, - deklaroi Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje.
 
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e vlerësoi tejet të rëndësishme qasjen e presidentit amerikan, Donald Tramp, i cili mes krizave globale me konflikte, zgjodhi ta përmend Kosovën.
 
“Unë e shoh pozitivisht faktin që Trampi e përmend edhe Kosovën dhe e sheh si një nga temat që do të merret gjatë mandatit të tij.”, - theksoi kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi. 
 
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, vlerëson se deklarata e presidentit Tramp është rikonfirmim i asaj që e ka thënë që në fushatën zgjedhore për rikthim në procesin e paqes. 
 
“Ne besojmë që do të ketë koordinim mes BE-së dhe administratës Tramp, por mbi të gjitha roli i tij është i veçantë. Pesha specifike e qëndrimit amerikan dhe Roli i Trumpit në procesin e paqes dhe në ndërtimin e shtetit në Kosovë do të jetë kritik dhe duhet të bëhet gati.”, - u shpreh nënkryetari i LDK-së, Lutfi Aziri.
 
Këto komente përfaqësuesit e partive politike i bënë pas dështimit të 33-të të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, pasi partitë opozitare përsëri nuk u pajtuan për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.  
 
GYLTENE SINANI