Maqedoni
Debat parlamentar për Koçanin, vetëm opozita, e pranishme për të biseduar
17.06.2025 17:02
Vetëm opozita, e gatshme për të hapur debat për tragjedinë e Koçanit...

Vetëm opozita, e gatshme për të hapur debat për tragjedinë e Koçanit. Në komisionin anketues, ku munguan deputetët e mazhorancës, me vetëm pesë deputetë opozitarë u votua nevoja për hapjen e debatit mbikëqyrës për Koçanin dhe shqyrtimi i lëshimeve të organeve shtetërore. Socialdemokratët paraprakisht kërkuan pjesëmarrjen e deputetëve të pushtetit.
“Jemi për organizimin e debatit mbikëqyrës, ku do të hapej debat për hapat e ndërmarra, por nga ana tjetër konsideroj se duhet të respektohet rregullorja, të mos bëjmë shkelje, e cila do të reflektohej negativisht.”, - deklaroi deputetja e LSDM-së, Jovanka Trençevska.
Por, kryetari i Komisionit Anketues, Dimitar Apasiev, njëherësh edhe iniciatorë i nismës, vazhdoi punimet duke thënë se po vepron në përputhje me rregulloren. Ai tha se organet shtetërore të udhëhequra nga pushteti aktual kanë bërë lëshime që kanë shpirë drejt tragjedisë në Koçan, e të cilët nuk kanë bartur përgjegjësi.
“Ministria e Brendshme ka për obligim të sigurojë rendin publik, shfrytëzimin e piroteknikës dhe të mbikëqyrë agjencitë e sigurimit. Asgjë nga kjo nuk është bërë, ndërkaq nuk ka as përgjegjësi morale të ministrit. Ministria e Ekonomisë për çudi nuk ka bërë kontroll për të konstatuar se ajo disko-stallë nuk ka përmbushur as kushtet minimale për punë dhe përse nuk i është marrë licenca. Prokuroria ka ngritur padi të paqëndrueshme, e cila do të rrëzohet.”, - deklaroi deputeti i së Majtës, Dimitar Apasiev.
Deputeti Ilir Hasani nga Fronti Evropian foli për drejtësi, sipas tij selektive, e ndikuar nga qeveria aktuale.
“Drejtësi, e cila për mua, qofsha subjektiv, po është aq selektive, aq e dukshme, saqë unë mendoj se qytetarët do ta dënojnë këtë drejtësi. Nuk mundet në kësi tragjedi të mos ketë asnjë dorëheqje për çështje morale, jo për çështje juridike ose për çështje të tjera administrative dhe këtë populli po e sheh.”, - theksoi deputeti i Frontit Evropian, Ilir Hasani.
Nga Fronti Evropian paraprakisht kanë pasur iniciativë për të debatuar për tragjedinë, por nuk kanë marrë mbështetjen e deputetëve.
MERAL ISMAILI
