Maqedoni

Tetë shtetas të RMV-së u kthyen nga Izraeli, njëzet të tjerë presin evakuimin pas rivendosjes së trafikut ajror

18.06.2025 14:44

Tetë shtetas të Maqedonisë së Veriut, mes tyre edhe fëmijë, u kthyen të sigurt në vend...

Tetë shtetas të Maqedonisë së Veriut, mes tyre edhe fëmijë, u kthyen të sigurt në vend. Si pjesë e një transporti të organizuar, ata u evakuuan fillimisht nga Izraeli drejt Egjiptit dhe më pas u sollën në Shkup me aeroplan qeveritar. Pavarësisht tmerrit që përjetuan atje, ata shprehën mirënjohje për organizimin dhe mundësinë për t’u kthyer të sigurt në vend.
 
“Atje e dini se si ishte. Gjatë ditës nuk ka qenë edhe shumë rrezik, por në mbrëmje shumë. Ishim si turist në vizitë tek një anëtar i familjes. E lavdërojmë ambasadën e Maqedonisë atje dhe ministrinë, Qeverinë, të gjithë. Ishte shumë mirë e organizuar, ishte i gjatë udhëtimi, por shumë mirë kaluam.”, - tha një udhëtare nga Izraeli për në Maqedoni.
 
“Ishte tmerr, për shkak se dita ishte shumë e gjatë, filluam që në mëngjes, kaluam përmes Egjiptit. Falënderojmë ministrinë tonë që organizoi të kthehemi shëndosh e mirë në shtëpi. Atje situata është e vështirë dhe ditët e fundit shumë serioze.”, - tha një udhëtare tjetër nga Izraeli për në Maqedoni.
 
Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, përmes rrjeteve sociale informoi për përfundimin me sukses të procesit të evakuimit, duke theksuar se me këtë operacion vendi ynë renditet ndër të parat në Evropë që organizuan dhe realizuan kthimin e sigurt të shtetasve të vet nga zona e konfliktit në Lindjen e Afërt. 
 
Deri tani, gjithsej 28 shtetas të Maqedonisë kanë kërkuar të evakuohen nga Izraeli. Ky ishte grupi i parë, i cili u evakuua, ndërkohë grupi i dytë prej rreth njëzet shtetasish të Maqedonisë së Veriut priten të largohen nga Izraeli, menjëherë pas vendosjes së trafikut të rregullt ajror nga Tel Aviv. Aktualisht, aeroporti në Tel Aviv është i mbyllur dhe përgjithësisht hapësira ajrore në Izrael është e mbyllur. Për momentin nuk është planifikuar evakuimi i personelit diplomatik të Maqedonisë në ambasadën në Tel Aviv.
 
Ministria bëri të ditur se përmes përfaqësisë diplomatiko-konsullore në Tel Aviv, vazhdon të jetë në kontakt të përhershëm me shtetasit e tjerë maqedonas që ndodhen në territorin e Izraelit. Për çdo pyetje ose nevojë për mbështetje konsullore, qytetarët mund të kontaktojnë në numrat e telefonit të shërbimit që janë në dispozicion.
 
ARMEND MURSELI