Botë
Konflikti Izrael – Iran, sulme me raketa nga të dyja palët
18.06.2025 14:58
Konflikti vdekjeprurës midis Izraelit dhe Iranit hyri në ditën e gjashtë....

Konflikti vdekjeprurës midis Izraelit dhe Iranit hyri në ditën e gjashtë. Në kryeqytetin e Iranit, Teheran, ka pasur sulme gjatë gjithë natës. Më shumë se 50 avionë të forcave izraelite morën pjesë në sulm dhe shënjestruan vendet që i përkasin programeve bërthamore dhe raketore të Iranit. Edhe Irani lëshoi dhjetëra raketa balistike drejt Izraelit gjatë natës dhe kërcënoi se do të vazhdojë më fuqishëm, nëse Izraeli nuk heq dorë nga lufta.
"Gjatë operacionit ne shënjestruam një vend për prodhimin e centrifugave, i cili synonte që regjimi të vazhdonte të intensifikonte pasurimin e uraniumit. Ne kemi një qëllim dhe objektiva të qartë - heqjen e kërcënimit ekzistencial të Shtetit të Izraelit, goditjen e programit bërthamor në të gjithë komponentët e tij dhe një dëmtim të konsiderueshëm në grupin e raketave.", - deklaroi zëdhënësja e IDF-së, gjeneral brigade Effie Defrin.
“Operacionet e deritanishme ishin vetëm paralajmërim dhe përgjigje për sulmet që Izraeli ka kryer në Iran. Më vonë do të zhvillojmë një operacion ndëshkues, nëse Izraeli nuk ndalon sulmet. Mos bëheni viktima të dëshirave të shfrenuara dhe shtazarake të Netanjahut.”, - theksoi gjenerali i ushtrisë iraniane.
Përfaqësuesja e BE-së Kaja Kallas paralajmëroi se sulmet e fundit të Izraelit ndaj Iranit mund vetëm të vonojnë - jo të pengojnë - ambiciet bërthamore të Iranit dhe bëri thirrje për zgjidhje diplomatike.
“Pasojat afatshkurtra të luftës midis Izraelit dhe Iranit mund të vonojnë përpjekjet bërthamore të Iranit, por nuk mund ta ndalojnë dhe nuk është garantues se Izraeli do të marrë atë që kërkon në këtë mënyrë. Prandaj BE-ja duhet të bëjë gjithçka që mundet për të nxitur diplomacinë dhe për të mbrojtur vlerat mbi të cilat jemi ndërtuar.", - u shpreh përfaqësuese e lartë e BE-së, Kaja Kallas.
Kryeministri kanadez Mark Karnej tha se Kanadaja dhe G7 mbeten të përkushtuara që Irani të mos pajiset me armë bërthamore.
"Udhëheqësit e G7-ës e bënë të qartë se Irani është burimi kryesor i paqëndrueshmërisë rajonale dhe terrorit. Dhe ne kemi qenë vazhdimisht të qartë se Irani nuk mund të ketë kurrë një armë bërthamore. Ne kërkojmë që zgjidhja e krizës iraniane të çojë në një ulje më të gjerë të armiqësive.”, - deklaroi kryeministri i Kanadasë, Mark Karnej.
Ambasadori dhe përfaqësuesi i përhershëm i Iranit në OKB akuzoi Izraelin se po zhvillon luftë jo vetëm kundër vendit të tij, por kundër "të gjithë njerëzimit" dhe akuzoi aleatët e Izraelit për mbështetjen e parezervë, pavarësisht shkeljes së ligjit ndërkombëtar. Që kur Izraeli nisi sulmet ajrore ndaj Iranit të premten e kaluar, Irani ka lëshuar më shumë se 400 raketa dhe qindra dronë drejt Izraelit. Sulmet kanë goditur 40 vende në të gjithë Izraelin. Deri më tani, 24 persona janë vrarë në Izrael, më shumë se 800 janë plagosur dhe mbi 3.800 persona janë evakuuar nga shtëpitë e tyre. Ndërsa në Iran, të paktën 224 persona janë vrarë, që nga fillimi i luftës.
FARIJE DAUTI BAKIJU
