Maqedoni
Punësimi i shqiptarëve, Mexhiti: Më të larta krahasuar me ish- pushtetin
18.06.2025 15:15
Mexhiti thotë se pas tridhjetë viteve, shqiptarët do të kenë ligj për përfaqësim adekuat në administratën shtetërore dhe publike....

Zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti mohon pretendimet e opozitës shqiptare se shqiptarët janë lënë pas dore në spektrin e përfaqësimit në institucione. Mexhiti fton opozitarët që të debatojnë publikisht me argumente, pasi sipas tij, punësimet e shqiptarëve janë më të larta krahasuar me 20 vite pushtet të BDI-së. Mexhiti thotë se pas tridhjetë viteve, shqiptarët do të kenë ligj për përfaqësim adekuat në administratën shtetërore dhe publike.
“Kur e kemi fjalën për përfaqësimin adekuat, përveçse e kemi tejkaluar zenitin, nëse ata kanë bërë brenda një viti një numër të konsiderueshëm, hajde të dalim edhe të krahasojmë se sa shqiptarë janë punësuar në kohën e tyre, sa në kohën tonë, mos të flas për avancimet e 800 shqiptarëve në administratën publike dhe shtetërore, shqiptarë që janë harruar njëzet vite duke i lënë si bashkëpunëtorë të rinj edhe të harruar nga pushtetet e kaluara. Kjo nuk është vetëm avancim i tyre, por ato do të kenë edhe pozicione, përgjegjësi, ku mund t’i shërbejnë qytetarët më mirë.”, - deklaroi zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.
BDI kritika për punësimet në QMK
Reagimet vijnë pas deklarimeve online të kryetarit të ASh-së, Taravari, dhe Bujar Osmanit nga BDI, se gjendja e shqiptarëve është në pozicion jo të lakmueshëm. Madje nga BDI, në një komunikatë për media, sot kanë folur për punësimet në Qendrën për Menaxhimin me Krizat.
“Bashkimi Demokratik për Integrim denoncon praktikat diskriminuese të punësimeve, kësaj radhe në Qendrën për Menaxhim me Kriza, ku në konkursin e fundit janë pranuar 12 maqedonas dhe vetëm 3 shqiptarë, në një institucion që udhëhiqet nga një drejtor me përkatësi shqiptare, por në shërbim të politikave të VMRO-DPMNE-së. Kjo situatë është alarmante dhe e papranueshme.”, thonë nga BDI.
ASh: Stoilkoviqi fshin shqiptarët nga grantet
Aleanca për Shqiptarët, krahu i Taravarit, thotë se ministri për Marrëdhënie midis Bashkësive ka diskriminuar shqiptarët me ndarjen e granteve.
“Në listën e publikuar në Gazetën Zyrtare nr. 121, më 17 qershor, vërehet një qasje e hapur favorizuese ndaj shoqatave të komunitetit serb dhe margjinalizuese ndaj organizatave shqiptare – me vetëm 3 projekte të përzgjedhura për shqiptarët, krahasuar me 5 për shoqata serbe dhe disa të tjera për komunitete jo-shumicë. A është kjo mënyra sesi Stoilkoviqi e kupton bashkëjetesën?”, pyesin nga ASh-ja e Taravarit.
Nga ASh-ja, në akuza përfshijnë edhe koalicionin VLEN si bashkëpjesëmarrës me heshtjen e tyre.
MERAL ISMAILI
