Maqedoni
Gjykimi për vrasjen e dyfishtë, të akuzuarit kërkojnë lirim nga akuza
18.06.2025 15:27
Në fjalët përfundimtare për vrasjen e dyfishtë, avokatët e të akuzuarve, kërkuan që ata të lirohen nga akuza për vrasjen....

Në fjalët përfundimtare për vrasjen e dyfishtë të Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit, avokatët e të akuzuarve Keshishev, Manev dhe Videvski, kërkuan që ata të lirohen nga akuza për vrasjen. Ata thanë se jo të gjithë kanë marrë pjesë në rrëmbimin dhe vrasjen e tyre. Sipas tyre, Prokuroria nuk ka dëshmuar se të akuzuarit kanë pasur marrëveshje paraprake për eliminimin e Gjorçevskës dhe Zhezhovskit.
“Vlerësojmë se Vllatko Keshishevi duhet të lirohet nga akuzat që i ngarkohen në pjesën e dy veprave kriminale për vrasje dhe rrëmbim në Veles të Pançe Zhezhovskit, sepse i njëjti nuk ka ndërmarr kurrfarë veprash as si kryerës e as si bashkëpunëtor.”, - deklaroi avokati i Vllatko Keshishevit, Igor Efremov.
“PThP me asgjë nuk dëshmoi se Boro Videvski ka lidhshmëri ose ka pasur marrëveshje paraprake me të akuzuarit e tjerë për të kryer krimin e vrasjes, nuk ka qëllim për të kryer krime të tilla dhe veprimet e inkriminuara që ai ka ndërmarrë në veprat penale të rrëmbimit nuk kanë elemente që përfaqësojnë një kontribut të veçantë në kryerjen e veprave penale të vrasjes.”, - theksoi avokati i Bore Videvskit, Bojan Manev.
Avokatët po ashtu kritikuan tërë procedurën e udhëhequr të Prokurorisë, e në veçanti të hetimeve dhe performancën e prokurorëve. Pretendojnë se gjithë procedura është e sajuar, ku aktakuza sipas tyre, bazohet në rrëfim të nxjerrë nëpërmjet torturës policore. Edhe avokati i babait të së ndjerës Vanja, Aleksandar Gjorçevski, kërkoi lirim nga akuza.
“Gjykata të sjellë vendim për lirimin e Aleksandar Gjorgjevskit, për shkak se Prokuroria nuk kishte guxim të tërheqë aktakuzën e ngritur ndaj tij, edhe pse janë të vetëdijshëm se ndaj tij nuk kanë prova, ndërsa nga ana tjetër edhe vetë prokurori publik më 11 qershor, në fjalët e tij përfundimtare tha se nuk ekzistojnë prova se ai ka pasur komunikim me babain dhe Ljupço Palevskin.”, - u shpreh avokati i Aleksandar Gjorçevskit, Vladimir Tufegxhiq.
Në seancën e kaluar gjyqësore, PThP-ja kërkoi dënim me burgim të përjetshëm për katër prej të akuzuarve në këtë rast. Fjalët përfundimtare të Ljupço Palevskit – Palço janë caktuar për më 20 qershor.
REXHEP QAMILI
