Maqedoni
Ministria e Arsimit dhe Shkencës, 14 mijë e 305 nxënës aplikuan në shkolla të mesme
18.06.2025 16:04
Rreth 14 mijë e 305 nxënës, që kanë përfunduar arsimin fillor, kanë aplikuar për regjistrim në shkolla të mesme...

Rreth 14 mijë e 305 nxënës, që kanë përfunduar arsimin fillor, kanë aplikuar për regjistrim në shkolla të mesme, informon zëvendësministri i Arsimit, Lulzim Aliu. Sipas tij, interesimi i nxënësve këtë vit është tek arsimi i mesëm profesional.
“Akoma jemi në periudhën e regjistrimit të afatit të parë të regjistrimit të nxënësve në arsimin e mesëm. Është përmbyllur aplikimi në formën elektronike nëpërmjet platformës që e ka hapur Ministria e Arsimit, konkretisht për regjistrim të nxënësve në shkollë të mesme, dhe sot edhe nesër është dorëzimi i dokumenteve në mënyrë fizike. Nëpërmjet platformës, ne arrijmë që të vërejmë se janë paraqitur diku 14 mijë e 305 nxënës nga 17 mijë nxënës, të cilët kanë përfunduar arsimin fillor, por kjo nuk do të thotë që ata nxënës nuk do të vazhdojnë shkollimin, për shkak se është edhe afati i dytë, edhe afati plotësues, që mund të jetë në gusht.”, - deklaroi zëvendësministri i Arsimit, Lulzim Aliu.
Aliu po ashtu theksoi se për dallim nga vitet e kaluara, MASh-i ka reduktuar numrin e nxënësve për regjistrim në drejtime të ndryshme, qoftë në atë të gjimnazit të përgjithshëm apo drejtimin e arsimit të mesëm profesional dhe dual. Gjithashtu njoftoi se janë rreth 28 mijë vende të lira. Nga MASh-i thonë se për drejtimin e gjimnazit të përgjithshëm janë 7.902 vende të lira; për arsimin e mesëm profesional, 11.934 vende; për arsimin dual, 6.725 vende; për arsimin e arteve, 578 vende dhe shkolla e mesme e sportit, 510 vende të lira.
VLORA LATIFI TOPOJANI
