Maqedoni

Tetovë, Forumi për mbrojtjen e parqeve nacionale

18.06.2025 16:24

Parqet nacionale, përveç që duhet të mbrohen, duhet investime kapitale që të kthehen në atraksion turistik, u tha në Tetovë...

Parqet nacionale, përveç që duhet të mbrohen, duhet investime kapitale që të kthehen në atraksion turistik, u tha në Tetovë, gjatë forumit rajonal për menaxhim të mirë dhe bashkëpunim ndërinstitucional në rajonet e mbrojtura në Maqedoni të Veriut, Shqipëri dhe Kosovë. Organizues është Fondacioni “Lidhja me vlerat natyrore dhe njerëzit”. Në këtë forum u tha se Mali Sharr është një thesar natyror me bukuri të rralla si flora, fauna, shpellat e ndryshme dhe shumë pasuri tjera natyrore, që e bëjnë këtë vend të jetë një atraksion i vërtetë turistik, sidomos për ekoturistët.
 
“Ne sot kemi mbledhur individë dhe institucione nga katër parqe nacionale, parku Sharr, Mavrova, në anën e Shqipërisë, Korab, Koritnik deri në Alpet shqiptare, sigurisht pjesa e malit Sharr nga ana Kosovës.”, - theksoi drejtori ekzekutiv, Nehat Ramadani. 
 
“Në të njëjtën kohë mendojmë si të realizohet kjo në mënyrë që të bëhet atraksion turistik, siç është rasti me Austrinë dhe vende të tjera të suksesshme, ku menaxhohen këto pasuri natyrore në mënyrë të suksesshme me shembuj të suksesshëm. Njëherit të bashkëpunojmë me fqinjët tanë, në këtë rast me Republikën e Kosovës së bashku të punojmë për mbrojtjen e Malit Sharr. Ai është si atraksion turistik për të dy shtetet, duke shfrytëzuar shembuj të suksesshëm në Evropë dhe vende të tjera.”, - deklaroi ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti. 
 
“Ai është një prej projekteve komplekse me të cilat do të synojmë nga një destinacion i harruar të bëhet qendër, jo vetëm e zhvillimit lokal ekonomik, por edhe e shtetit. Me investimet parashihet pjesa e hapjes së rrugës Tetovë-Prizren, me të cilat do të ndërlidhen të tri shtetet në këtë projekt Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria. Ne në të ardhmen e afërt malit të Sharrit do t’ia kthejmë shkëlqimin që e kishte dikur.”, - u shpreh kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.