Maqedoni

ASh – Taravari akuzon komunën e Tetovës për manipulim me pronën publike

18.06.2025 16:47

AS, e Taravarit ka akuzuar kryetarin e komunës së Tetovës për prishjen e objektit të ish-monopolit dhe manipulimin e pronës publike me qëllim hapjen e rrugës për interesa private...

Aleanca për Shqiptarët, e drejtuar nga Arben Taravari, ka akuzuar kryetarin e komunës së Tetovës për prishjen e objektit të ish-monopolit dhe manipulimin e pronës publike me qëllim, siç thonë ata, hapjen e rrugës për interesa private. Sipas tyre, kjo po bëhet në mënyrë të fshehtë dhe të paqartë, duke u anashkaluar standardet mjedisore dhe duke u rrezikuar shëndeti publik për shkak të pluhurit dhe substancave të dëmshme që qarkullojnë në ajër pa asnjë masë mbrojtëse.
 
“Kryetari i komunës së Tetovës fillimisht e ka shitur parcelën për vetëm 70 denarë për metër katror, ndërsa më pas ka ndërhyrë në planin e detajuar urbanistik, duke e kategorizuar atë si zonë ndërtimi, që ia ka rritur ndjeshëm çmimin tokës dhe i ka hapur rrugë zhvillimeve komerciale në dëm të interesit publik. Kompania që bleu këtë hapësirë, sipas të dhënave është në gjendje të rëndë financiare, pranë falimentimit, fakt që vetëm forcon dyshimet tona për një aferë kriminale dhe dyshimeve ndaj investitorëve të caktuar. Më skandaloze është se në këtë hapësirë janë zbuluar edhe eshtra që i përkasin viktimave të masakrës së monopolit.”, - deklaroi Gadaf Uzairi nga ASh.
 
ARMEND MURSELI