Rajon
Rrjeti propagandistik rus “Pravda”, Rizanaj: Janë publikuar 3.000 artikuj në shqip
18.06.2025 17:12
Rrjeti propagandistik rus “Pravda” ka intensifikuar fushatën e dezinformimit në rajon përmes përmbajtjes në gjuhën shqipe...

Rrjeti propagandistik rus “Pravda” ka intensifikuar fushatën e dezinformimit në rajon përmes përmbajtjes në gjuhën shqipe, duke mohuar shtetësinë e Kosovës dhe duke e krahasuar atë me Krimenë. Kjo u tha në konferencën “Sfidat e çrregullimit informativ në Kosovë”, organizuar nga Hibrid.info. Sipas raportit të publikuar, domeni në gjuhën shqipe i rrjetit “Pravda”, është aktiv që nga marsi 2024 dhe deri në prill 2025 janë publikuar rreth 3.000 artikuj që synojnë audiencën shqipfolëse, shpesh me përmbajtje nxitëse dhe antiperëndimore.
“Rrjeti “Pravda” është pjesë e një operacioni online, i koordinuar me Kremlinin zyrtar propagandistik prorus, i cili shpërndan narrative të ndryshme nëpërmjet faqeve të ndryshme uebsajde të maskuara si portale informative, të cilat shpërndajnë informacione prej një qendre, me përmbajtje të ndryshme në 80 shtete të botës. “Albanien Pravda”, d.m.th. newspravda.com ka filluar nga marsi I vitit të kaluar në shqip me disa domene, ku shpërndahen përmbajtje të ndryshme në shqip dhe anglisht. Ky domen prej marsit të kaluar deri në prill të këtij viti, diku rreth 3.000 artikuj janë publikuar në gjuhën shqipe.”, - theksoi hulumtuesi i hibrid.info, Festim Rizanaj.
Në mesin e këtyre 3 mijë artikujve ka artikuj prorus dhe proserb. Hulumtuesi Rizanaj thekson se kjo platformë kritikon vazhdimisht Perëndimin dhe NATO-n, duke promovuar narrativet ruse edhe në gjuhën shqipe. Megjithatë, Rizanaj theksoi se ndikimi i kësaj propagande në audiencën shqiptare është ende i ulët, për shkak të përkthimeve të dobëta dhe mungesës së shpërndarjes efektive në rrjetet sociale.
GYLTENE SINANI
