Botë

Tramp taktizon, nuk përjashton sulmin ndaj Iranit

19.06.2025 12:15

Presidenti amerikan Donald Tramp ka miratuar planet për një sulm të mundshëm ushtarak ndaj Iranit...

Presidenti amerikan Donald Tramp ka miratuar planet për një sulm të mundshëm ushtarak ndaj Iranit, por ende nuk ka dhënë dritën jeshile për zbatimin e tyre. Tramp është takuar të mërkurën në mbrëmje me gjeneralët më të lartë në Dhomën e Situatave të Shtëpisë së Bardhë, ku janë diskutuar në detaje opsionet e ofensivës ndaj Iranit, si përgjigje ndaj sulmeve të fundit me raketa iraniane, përfshirë goditjen e spitalit “Soroka” në Ber Sheva.
 
Administrata Tramp dhe zyrtarë të lartë të sigurisë po analizojnë një sërë skenarësh për të reaguar në ditët në vijim. Një zyrtar i paidentifikuar tha për mediat amerikane se planet janë gati dhe po mbahen nën vëzhgim të vazhdueshëm, ndërsa Trampi pret të shohë nëse Irani do të tërhiqet nga programi i tij bërthamor përpara se të japë miratimin përfundimtar për ndërhyrjen. “Mund ta bëj, mund të mos e bëj.”, u shpreh Trampi më herët kur u pyet për mundësinë e një sulmi të drejtpërdrejtë ndaj Iranit.
 
Në të njëjtën linjë të ashpër është edhe kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu, i cili deklaroi se Irani do të “paguajë një çmim të lartë” pas goditjes së objektivave civile në Izrael, përfshirë goditjen e spitalit në jug të vendit nga raketat iraniane. Ky zhvillim përforcon frikën për një përshkallëzim të mundshëm të përplasjes ushtarake mes ShBA-së, Izraelit dhe Iranit, në një moment të ndjeshëm për sigurinë në Lindjen e Mesme dhe më gjerë.