Rajon

Kurti: Opozita nuk dëshiron që Kosova të ketë Kuvend

19.06.2025 13:31

Dështoi edhe vazhdimi i 34-të i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës....

Dështoi edhe vazhdimi i 34-të i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Sërish opozita nuk e përkrahu propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për krijimin e një komisioni ad-hoc për votim të fshehtë, prandaj kryesuesi e ndërpreu seancën. Deputetët opozitarë nuk po duan që Kosova të ketë Kuvend, thotë kryeministri në detyrë, Albin Kurti. 
 
“Më lejoni që deputetët opozitarë të cilët nuk po duan që Kosova të ketë Kuvend, pra që ata të kenë shtëpi, t’i quaj deputetë nomadikë, sepse nomadët janë ata të cilët nuk dëshirojnë të kenë shtëpi.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Çitaku: Kosovën po e mban peng Albin Kurti
 
Por, kështu nuk mendojnë deputetët opozitarë, sipas të cilëve Kosovën po e mban peng Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje.
 
“Kosova është marr peng nga kokëfortësia, kryeneçësia, papërgjegjësia e Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Nuk ka fije logjike që institucionet e Republikës së Kosovës të mos konstituohen.”, - theksoi Vlora Çitaku nga PDK.
 
Limaj: Situata e sigurisë mund të komplikohet
 
Moskonstituimi i institucioneve mund të rrisë shkallën e pasigurisë në Kosovë, ngrit shqetësimin Fatmir Limaj nga Nisma. 
 
“Nëse Kosova vazhdon të mbetet kështu si është, do të rritet shkalla e pasigurisë në vend për Kosovën, kështu që jam i shqetësuar shumë edhe për situatën e sigurisë në vend. Dhe shpresoj që edhe kolegët tjerë e kuptojnë dhe ndajnë informatat e mia se duhet të veprojmë shpejtë, sepse situata e sigurisë mund të komplikohet.”, - u shpreh Fatmir Limaj nga Nisma.
 
Hasani: Jemi në dorë të Zotit dhe Gjykatës Kushtetuese
                                              
Fati i konstituimit të Kuvendit të Kosovës është në duart e Zotit dhe Gjykatës Kushtetuese, thotë deputeti, Nait Hasani.
 
“Në dorë të Zotit dhe Gjykatës Kushtetuese është.”, - u shpreh Nait Hasani nga PDK.                         
                                                     
Në pritje të dakordimit mes partive politike për konstituimin e Kuvendit, kryesuesi i seancës vazhdimin e 35-të të saj e ka caktuar më 21 qershor.
 
GYLTENE SINANI