Rajon
Shqipëri, Stabilizim-Asociimi në Strasburg dita e 2-të
19.06.2025 14:18
Strasburgu u kthye sërish në arenë debati për Shqipërinë...

Pavarësisht kësaj deklarate të drejtuesit të delegacionit të Parlamentit Evropian, Strasburgu u kthye sërish në arenë debati për Shqipërinë, ku akuzat politike i dhanë ton ditës së dytë të mbledhjes së 19-të të Komitetit të Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe BE-së.
“Në Shqipëri sistemi i drejtësisë është i kapur nga ata persona që po përpiqen ta reformojnë atë. Qeveria përmes procesit të vettingut, i cili kontrollon gjyqtarët potencialë, e kanë lënë sistemin me të njëjtat gabime apo mangësi si para reformës. Drejtësia është përdhosur në zgjedhjet e fundit. Ne duhet të kemi zgjedhje të lira dhe të drejta. Thuajse në çdo rajon të Shqipërisë ka një përfaqësues të krimit të organizuar në parlament.”, - deklaroi Fredi Beleri.
Replikën e mori nga bashkëdrejtuesi i takimit, socialisti Toni Gogu.
“Zoti Beleri, për shkak se më përmendët emrin, më duhet të bëj një sqarim të shkurtër se të gjithë pretendimet e situatës së zgjedhjeve janë duke u shqyrtuar nga autoriteti kushtetues i pavarur KQZ dhe gjykatat si Kolegji Zgjedhor. Besimi që kemi në ato institucione që kemi ndërtuar së bashku me PE-në me shumë mund në 30 vitet e fundit, sidomos në 10 vitet e fundit përmes reformës madhore në drejtësi, besoj se duhet të mbetet i paprekur dhe iu siguroj që në fund fare vullneti i popullit shqiptar në ato kuti që po rinumërohet, do të jetë i patjetërsueshëm.”, - theksoi Toni Gogu.
Duke i shtrirë dorën opozitës për bashkëpunim, Fatmir Xhafaj njoftoi se shpejt do të hidhen për diskutim dy ligje të reja që lidhen me përpjekjet e vendit për t’u përafruar me Bashkimin Evropian.
“Shpresojmë me opozitën bashkërisht të ulemi dhe të punojmë e të adresojmë rekomandimet. Kemi miratuar një dokument me 700 faqe, në fazë konsultimi, hartim ligjesh për këtë plan, fokusi në paketën legjislative, 2 ligje të reja për konfliktin e interesit dhe ligjin për financimin e partive politike.”, - u shpreh Fatmir Xhafaj.
Mbledhja e 20-të ndërparlamentare e Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe BE-së do të mbahet në tetor në Tiranë.
LULJETA NDOKA
