Botë
Lufta mes Iranit dhe Izraelit, sulme me raketa nga të dyja palët, Izraeli bombardon reaktorin bërthamor Arak
19.06.2025 14:53
Lufta e nisur nga Izraeli në Iran vazhdon të evoluojë....

Lufta e nisur nga Izraeli në Iran vazhdon të evoluojë. Bombardimet e Izraelit kanë vrarë 24 persona në Teheran, duke e çuar në 224 numrin e të vrarëve atje. Cak i sulmeve vazhdojnë të jenë objektivat bërthamore. Banorët e Teheranit janë të shqetësuar nga këto sulme dhe kanë frikë të dalin jashtë.
“Dy predha armiqësore e kanë goditur zonën rreth reaktorit bërthamor Arak. Nuk ka kontaminim në zonë, pra nuk ka asnjë rrezik rrjedhjeje rrezatimi në asnjë rast, pasi janë ndërmarr të gjitha masat e nevojshme. Centrali ishte evakuuar para sulmit, dhe nuk ka viktima e as të plagosur.”, - theksoi reporteri nga Irani.
"Nuk di ku të shkoj, nuk di çfarë të fus në çantë. I fus të gjitha me shumicë. Të gjitha autostradat janë të bllokuara dhe rrugët janë bosh. Nuk ka më makina, as taksi, është shumë e vështirë, madje është e rrezikshme të dalësh përsëri dhe të shkosh në metro.", - u shpreh një studente.
Irani godet qendrën mjekësore “Soroka”, Izraeli kërcënon me eliminimin e Khameneit
Irani është kundërpërgjigjur me dhjetëra raketa balistike drejt Tel Avivit dhe këto sulme kanë goditur Qendrën Mjekësore “Soroka” në Beersheba. Izraeli nuk ka dhënë shifra për viktimat. Një tjetër sulm iranian goditi zonën Ramat Gan të Tel Avivit, duke dëmtuar ndërtesën e bursës. Për këto sulme Izraeli kërcënon Iranin me vrasjen e liderit të tyre shpirtëror, Ajatollah Ali Khamenei.
"Do të doja të thoja se një diktator si Khamenei, i cili drejton një vend si Irani dhe që ka ngritur flamurin e shkatërrimit të shtetit të Izraelit, qëllimin e tmerrshëm të shkatërrimit të Izraelit, nuk mund të vazhdojë të ekzistojë.", - deklaroi ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz.
Irani pretendoi se objektivi kryesor i sulmit me raketa që goditi spitalin në Izraelin jugor ishte një bazë ushtarake dhe inteligjence izraelite, jo objekti shëndetësor, duke shtuar se spitali ishte "i ekspozuar vetëm ndaj valës së shpërthimit". Ndërkohë presidenti i ShBA-së, Donald Trump, tha se nuk i kishte mbyllur dyert për një marrëveshje me Iranin dhe se ajo ende mund të arrihet.
"Irani ishte shumë afër nënshkrimit të asaj që do të kishte qenë një marrëveshje shumë e mirë për ta. Dhe ndoshta kjo mund të ndodhë ende, mendoj. E dini, ata duan të vijnë të na shohin. Ata duan të më shohin mua në Shtëpinë e Bardhë. Kjo është një deklaratë e rëndësishme.", - theksoi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Sipas burimeve, presidenti amerikan shpreson që kërcënimi për t'u bashkuar me sulmet izraelite, të cilat kanë vazhduar prej një javë, do t'i detyrojë autoritetet iraniane të pranojnë kërkesat e tij.
FARIJE DAUTI BAKIJU
