Maqedoni
Përfundoi gjykimi kundër Ramiz Merkos, vendimi pritet të merret nesër
19.06.2025 15:05
Sot në Gjykatën Themelore të Strugës përfundoi procesi gjyqësor ndaj kryetarit të komunës së Strugës, Ramiz Merko...

Sot në Gjykatën Themelore të Strugës përfundoi procesi gjyqësor ndaj kryetarit të komunës së Strugës, Ramiz Merko, pas paraqitjes së fjalëve përmbyllëse nga Prokuroria dhe mbrojtja. Merko akuzohet për emërime të jashtëligjshme të drejtorëve në disa shkolla fillore në fshatrat Labunishtë, Radolishtë dhe Podgorcë. Në deklaratat e tyre përfundimtare, prokurorët Vanesa Bizati Bilalli dhe Xhemal Lloga theksuan se i pandehuri, në ushtrim të funksionit të tij si kryetar komune, ka vepruar në kundërshtim me ligjin.
“Kryetari i komunës veproi në kundërshtim me ligjin për shkollat fillore.”, - theksoi prokurori, Xhemal Lloga.
Nga ana tjetër, avokati i Merkos, Igor Petkovski, deklaroi se organi i akuzës nuk ka paraqitur prova bindëse që vërtetojnë fajësinë e klientit të tij. Ai tha se Merko nuk ka pasur asnjë qëllim për përfitim personal apo dëm ndaj institucioneve, por ka vepruar me synimin për të garantuar vazhdimësinë e procesit mësimor. Seancën e kryesoi gjykatësi Jordan Jovanov, i cili njoftoi se aktgjykimi për këtë rast do të shpallet ditën e nesërme.
“Të gjitha i kemi në fazën përfundimtare, në rastin e Veleshtës duhet të dëgjojmë një dëshmitar nga të pandehurit. Në rastin e “Vëllezërit Milladinov”, akuzohet vetëm një këshilltar teknik, që do të thotë se ka gjykata për një seancë dëgjimore të caktuar në korrik dhe që duhet të përfundojë.”, - u shpreh gjykatësi, Jordan Jovanov.
Prokuroria argumentoi se këto veprime përbëjnë abuzim me kompetencat dhe kanë dëmtuar funksionimin e rregullt të institucioneve arsimore. Sipas tyre, Merko ka emëruar drejtorë të përkohshëm pa pasur miratim nga këshillat e shkollave, pa organizuar konkurs publik dhe pa respektuar kriteret ligjore për pozicionin.
FITORE ISTREFI
