Nisma “Më mirë për Tetovën” kundër propozim-ligjit për Kodin Zgjedhor

19.06.2025 15:20

Nisma “Më mirë për Tetovën” ka reaguar ashpër ndaj propozim-ndryshimeve të fundit në Kodin Zgjedhor të Maqedonisë së Veriut....

Nisma “Më mirë për Tetovën” ka reaguar ashpër ndaj propozim-ndryshimeve të fundit në Kodin Zgjedhor të Maqedonisë së Veriut, të cilat, sipas tyre, përbëjnë një përpjekje për të penguar pjesëmarrjen e kandidatëve të pavarur në procesin zgjedhor. Sipas përfaqësuesit të kësaj nisme, Agron Arifi, ndryshimet e propozuara parashikojnë një rritje drastike të numrit të nënshkrimeve të nevojshme për të kandiduar, gjë që krijon barriera të mëdha për qytetarët që duan të përfshihen në politikë jashtë partive tradicionale. Ata kërkojnë që këto ndryshime të tërhiqen menjëherë dhe të hapet debat i gjerë publik për rregullimin e drejtë dhe gjithëpërfshirës të sistemit zgjedhor.
 
“Ndryshimet e reja janë përpjekje për t’i fshirë zërat e pavarur nga harta politike. Kjo është luftë për të drejtën e çdo qytetari për të kandiduar dhe për të zgjedhur lirshëm. Për krahasim në shumicën e shteteve evropiane nevojiten më pak se 200 nënshkrime për pjesëmarrjen e kandidatëve të pavarur në zgjedhje, kurse me këtë propozim-ligj, për shembull në Tetovë, duhet të grumbullohen 900 nënshkrime gati sa për formimin e një partie politike. Ky propozim-ligj është një goditje e drejtpërdrejtë  ndaj vlerave demokratike dhe evropiane. Kërkesat tona janë të mos votohet ligji aktual, të hartohen propozime të reja ligjore, që do të përfshijë kërkesat e kandidatëve të pavarur.”, - deklaroi Agon Arifi nga MMPT.