Maqedoni

Statusi i punësimit të shqiptarëve, VLEN: Sollëm revolucion në administratë

19.06.2025 15:28

Koalicioni VLEN, pjesë e Qeverisë, thotë se ka sjellë revolucion në administratën publike...

Koalicioni VLEN, pjesë e Qeverisë, thotë se ka sjellë revolucion në administratën publike, avancime, punësime dhe drejtësi për nëpunësit shqiptarë. Sipas tyre, brenda një kohe shumë të shkurtër, janë ndërmarrë hapa të fuqishëm dhe të guximshëm për avancimin dhe përfaqësimin real të kuadrove shqiptare.
 
“Në vetëm pak javë, qeverisja e re e drejtuar nga VLEN-i po dëshmon në praktikë se ndryshimi nuk është vetëm një slogan elektoral, por një realitet i prekshëm dhe transformues për administratën publike në Maqedoninë e Veriut. Brenda një kohe shumë të shkurtër, janë ndërmarrë hapa të fuqishëm dhe të guximshëm për avancimin dhe përfaqësimin real të kuadrove shqiptare në institucionet shtetërore.”, thuhet në komunikatën e VLEN-it.
 
FE: Qeveria mbi të drejtat e tyre
 
Por, me lavdërimet e koalicionit VLEN nuk pajtohet opozita. Sipas Frontit Evropian, kjo qeverisje e ka zgjedhur rrugën e diskriminimin sistemik, përjashtimit etnik dhe shkatërrimit të besimit qytetar. Pastrim etnik në administratë.
 
“Një vit pa dinjitet, sepse kjo Qeveri ka sjellë pikërisht këtë. Një vit pa barazi, pa përfaqësim, pa respekt institucional për shqiptarët dhe për vlerat e bashkëjetesës, që ky shtet është zotuar t’i mbrojë. E drejta e punësimit në administratë publike, e drejtë kushtetuese, por në praktikë e kthyer në privilegj monoetnik. Pas shfuqizimit antikushtetues të vlerës kushtetuese të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, si dhe të mekanizmit të balancuesit nga Gjykata Kushtetuese, institucionet shtetërore u liruan nga çdo detyrim për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.”, - deklaroi deputetja e BDI-së, Arbana Pasholli. 
 
ASh: U margjinalizuan, u diskriminuan
 
Edhe Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit, e shqetësuar me statusin e punësimit të shqiptarëve.
 
“Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësimin serioz për diskriminimin që u bëhet shqiptarëve nëpër institucionet shtetërore. Derisa VLEN-i lavdërohet me disa punësime që numërohen në gishtat e njërës dorë, publiku është dëshmitar se brenda një viti ka pasur rreth 1.000 punësime maqedonasish, ndërsa numri i shqiptarëve të punësuar mbetet qesharak dhe shqetësuese.”. 
 
Nga Aleanca e Taravarit thonë se ishte pikërisht margjinalizimi i shqiptarëve arsyeja se përse kjo parti u nda nga koalicioni VLEN dhe e lëshoi Qeverinë.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU