Maqedoni

FSSh-ja do t’i mbulojë shpenzimet për të lënduarit, Klekovski: Pacientët të mos nxitohen me korrigjime estetike

19.06.2025 15:39

Fondi për Sigurim Shëndetësor do të mbulojë të gjitha shpenzimet për të lënduarit në aksidentin e Koçanit...

Fondi për Sigurim Shëndetësor do të mbulojë të gjitha shpenzimet për të lënduarit në aksidentin e Koçanit, informoi drejtori i fondit, Sasho Klekovski. Ai u bëri thirrje të gjithë të lënduarve të mos nxitohen me vendime për trajtimin e mëtejshëm, të mos zgjedhin laserë dhe korrigjime estetike jashtë protokolleve mjekësore.
 
“Dua të konfirmoj se përkushtimi ynë ndaj të lënduarve mbetet i pandryshuar, si orët e para, si ditët e para. Është i fortë dhe do të mbetet i fortë edhe në të ardhmen. Të gjitha nevojat, nevojat shëndetësore, nevojat e kujdesit shëndetësor të të lënduarve nga Koçani në tragjedi, do të përballohen edhe me shpenzime dhe do të mbështeten nga shteti, domethënë nga Fondi për Sigurim Shëndetësor. Dhe kjo do të vlejë për një kohë të gjatë.”, - deklaroi drejtori i FSSh-së, Sasho Klekovski. 
 
Aktualisht 10 pacientë po trajtohen në spital dhe vetëm një pacient është në gjendje të rëndë, tha Klokovski. Sipas tij, pacientët po trajtohen me terapi  fizike  dhe  terapi me plazmë të  pasur me trombocite. Qeveria ka vendosur që vendpushimi, pranë Koçanit, do t'i presë të lënduarit këtë verë për rehabilitim dhe risocializim, si dhe për mbështetje psikologjike. Siç tha Klekovski, vendpushimi është gati dhe pacientët e parë mund të largohen të premten ose të shtunën. Qëndrimi në Ponikva është në bazë vullnetare dhe u ofrohet të gjithë të lënduarve. Më shumë se 40 persona janë regjistruar për grupin e parë për “Ponikva”.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI