Maqedoni
LSDM: A ka përfunduar zhvatja nga "Pulse" në VMRO-DPMNE
19.06.2025 15:51
LSDM paralajmëron kryeministrin Hristijan Mickoski që të largojë kthetrat e partisë nga Prokuroria dhe gjyqësori

LSDM paralajmëron kryeministrin Hristijan Mickoski që të largojë kthetrat e partisë nga Prokuroria dhe gjyqësori. Sipas tyre, hetimi për tragjedinë në diskotekën "Pulse" në Koçan, tregon një lidhje të drejtpërdrejtë midis tragjedisë dhe udhëheqjes së lartë të VMRO-DPMNE-së. LSDM pyet nëse kompania "Saltirovski Consulting", në pronësi të gruas së kreut të SPB-së në Shtip, ka shërbyer për mbledhjen e parave nga shantazhi i lokaleve, siç ishte rasti me diskotekën "Pulse" për të përfunduar në VMRO-DPMNE? Nga kjo parti pretendojnë se i kanë të njohura të gjitha çështjet lidhur me tragjedinë dhe se do t’i publikojnë deri në fund.
“E njëjta kompani, sipas njohurive tona, mund të ketë mbajtur të dhëna fiktive për kompanitë që lidhen me diskotekën "Pulse". Ekziston një dyshim serioz se nëpërmjet saj janë bërë pagesa paushallë të një shume të caktuar për mbrojtjen policore të vendeve që i kanë mbetur pa kontroll, përfshirë diskotekën "Pulse", ku humbën jetën 62 fëmijë. Dhe dyshimi është edhe më serioz: A ishin pikërisht ato para nga nëntoka, që përfunduan në fushatat e VMRO-DPMNE-së?”, - deklaroi Simona Cvetanovski nga LSDM.
VMRO-DPMNE: LSDM gënjen, siç gënjeu për rastet e tjera tragjike
Nga VMRO-DPMNE kundërpërgjigjen se askush nuk po mbrohet dhe se të gjithë do të përfshihen. Ndërkohë akuzuan se në kohën e qeverisjes së LSDM-së kanë ndodhur shumë tragjedi për të cilat kjo parti ka gënjyer popullin.
“LSD-ja gënjen për Koçanin, ashtu siç gënjeu për Smilkovën, për Mladenovin, për Tamarën dhe në fund përfundon me kabllon në spitalin modular. Sa herë që LSD-ja është në opozitë, duke mos pasur një ofertë të vërtetë për votuesit, ajo abuzon me tragjeditë njerëzore për qëllime politike. Ashtu si tani që Venko Filipce po gënjen për Koçanin, Zaevi gënjeu se e dinte dhe do ta tregonte të vërtetën për vrasjen në Liqenin e Smilkovës. Ai erdhi në pushtet dhe tha se nuk e dinte. Zaevi dhe LSD-ja gënjejnë se do ta zbulonin shkakun e vdekjes së Mladenovit. LSD-ja foli edhe për lagjen e trimave dhe gënjeu.”, - theksoi Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.
Për tragjedinë në Koçan ku humbën jetën 62 persona, Prokuroria Publike ka ngritur aktakuzë kundër 34 personave fizikë dhe 3 personave juridikë. Ndërkohë procedurë e ndarë po zhvillohet për 27 zyrtarë policorë.
FLORIJE KAMBERI
