Maqedoni

Koçan, tensione në Këshillin Komunal në Koçan, ofendime dhe përplasje mes Akiov dhe Stojkovit

19.06.2025 16:36

Në mbledhjen e 65-të të Këshillit të Komunës së Koçanit ndodhi një incident

Në mbledhjen e 65-të të Këshillit të Komunës së Koçanit ndodhi një incident ku ishte i përfshirë këshilltari Aki Akiov nga Partia për Prosperitet Demokratik të Romëve. Ai hyri në një debat verbal me këshilltarët e VMRO-DPMNE-së, konkretisht me këshilltarin Mirçe Stojkov, ndërsa tema ishte marrëdhënia mes komunës dhe shërbimeve inspektuese. Stojkovi e akuzoi ushtruesin e detyrës së kryetarit të komunës, Venko Kërstevski, për veprim selektiv në raport me shërbimet inspektuese, përkatësisht bashkëpunimin ndërkomunal. Më pas filluan fyerje mes Akiov dhe Aleksovit. Akiovi mori një shishe qelqi me ujë dhe e hodhi, duke goditur njërën nga punonjëset e komunës, edhe pse në shënjestër e kishte këshilltarin Aleksov.
 
Nga VMRO-DPMNE, duke e dënuar incidentin, theksojnë se ai është njeri i afërt me LSDM-në, përkatësisht kreun e saj, Venko FIlipçe.
 
“Në Shkup çdo ditë përhapen të pavërteta dhe lajme të rreme për Koçanin. Plot me nekrofili dhe negativitet, si dhe dezinformata që u ndihmojnë drejtpërdrejt atyre që nuk duan drejtësi. Ata nuk thonë asnjë fjalë për spitalin modular, ndërsa ikin nga përgjegjësia e Venko Filipçes si djalli nga temjani. Ndërkohë që shpikin dhe gënjejnë, këshilltari dhe funksionari i tyre, Aki Akiov, ndan grushte ndaj qytetarëve të Koçanit dhe kërcënon.”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
 
Incidentin e kanë dënuar edhe nga LSDM, e cila thekson se Akiovi nuk është anëtarë i kësaj partie, ndërsa shtojnë se këshilltarët e VMRO-DPMNE-së provokojnë vazhdimisht.
 
“Fakt është se këshilltarët e VMRO-DPMNE-së vazhdimisht provokojnë gjatë seancave të Këshillit të Komunës së Koçanit. Skenari që përsëritet tashmë disa seanca me radhë përfshin fyerje mbi baza etnike, fetare dhe personale, si dhe sharje të drejtuara jo vetëm ndaj individëve, por edhe ndaj të gjithë komunitetit rom. Këshilltari Vase Aleksov nga VMRO-DPMNE ishte më i zëshmi në fyerje dhe sharje dhe këtë e dinë të gjithë këshilltarët.”, thonë nga LSDM, duke shtuar se asnjë akt dhune nuk është i lejueshëm.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI