Botë
Lindja e Mesme, vazhdojnë sulmet mes Izraelit dhe Iranit
20.06.2025 11:44
Lindja e Mesme vazhdon të mbetet e trazuar. Kanë vazhduar sulmet izraelite në Iran dhe anasjelltas....

Lindja e Mesme vazhdon të mbetet e trazuar. Kanë vazhduar sulmet izraelite në Iran dhe anasjelltas. Teherani sërish ka kryer një sulm masiv në Bërshevë, ndërsa forcat izraelite kanë sulmuar në veriperëndim të Iranit. Kryeministri izraelit, Netanjahu, thotë se vendi i tij është i vendosur të shkojë deri në fund për ta shkatërruar programin bërthamor iranian, edhe atë me apo pa mbështetjen e Amerikës.
“Kam thënë se do ta ndryshojmë fytyrën e Lindjes së Mesme, tani them, po e ndryshojmë fytyrën e botës. Jam i vendosur t’i arrijmë të gjitha objektivat tona. Vendimi i Trampit, nëse do të na bashkohet sërish, është i tij. Ai do të bëjë atë që është mirë për ShBA-në, ndërsa unë atë që është mirë për Izraelin. Çdo ndihmë, sigurisht, është e mirëseardhur.”, - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Presidenti amerikan Tramp, nga ana tjetër po e shqyrton seriozisht mundësinë për t’iu bashkuar sulmeve izraelite ndaj Iranit, por ka thënë se i jep përparësi diplomacisë, për çka ka caktuar një afat dyjavorë.
“Kam një mesazh drejtpërdrejt nga presidenti, citoj: Bazuar në faktin se ekziston një mundësi e konsiderueshme për negociata që mund të ndodhin me Iranin në të ardhmen e afërt, vendimin nëse do të bashkohem apo jo, do ta marr brenda dy javëve të ardhshme.”, - theksoi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karolin Leavit.
Aleati i Iranit, Rusia, ka thënë se Teherani është i gatshëm për negociata me ShBA-në, por kërkon që Izraeli t’i ndalojë sulmet. Njëherit Rusia paralajmëron Uashingtonin të mos përzihet në konfliktin izraelito-iranian, pasi një gjë e tillë do të ishte me rrezik të madh.
“Ndërhyrja ushtarake e Uashingtonit do të ishte një hap jashtëzakonisht i rrezikshëm me pasoja të paparashikueshme negative. Rusia i ka vënë re deklaratat e qarta nga pala iraniane për përkushtimin e saj ndaj detyrimeve nga Marrëveshja për mospërhapjen e Armëve Bërthamore dhe gatishmërinë për të rivendosur kontaktet me ShBA-në për të gjetur zgjidhje të mundshme në lidhje me programin bërthamor të Teheranit, me kusht që Izraeli t’i ndalë sulmet e tij.”, - theksoi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.
Po ashtu Rusia ka paralajmëruar se vrasja eventuale e udhëheqësit iranian Khamenei do të “hapte kutinë e Pandorës” dhe reagimi i Rusisë do të ishte shumë negativ. Derisa ShBA-ja dhe Irani kanë ndërprerë bisedimet, në Gjenevë po zhvillohen bisedime bërthamore ndërmjet Iranit dhe BE-së. Shefi i diplomacisë franceze Baro e konfirmoi gatishmërinë për të vazhduar bisedimet edhe me ShBA-në.
“Ekziston gatishmëri për të vazhduar bisedimet, përfshirë edhe me ShBA-në, me kusht që të arrihet armëpushim. Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë negociatat, me kusht që ato të çojnë në hapa të qëndrueshëm dhe thelbësorë nga ana e Iranit në lidhje me programin e tij bërthamor dhe atë balistik, si dhe aktivitetet e tij destabilizuese në rajon.”, - u shpreh ministri i Punëve të Jashtme i Francës, Zhan-Noel Baro.
Irani po ashtu ka paralajmëruar se mund të mbyllë Ngushticën strategjike të Hormuzit për lundrim, një rrugë detare me rëndësi strategjike, përmes së cilës kalon rreth 20 për qind e konsumit ditor botëror të naftës, në përgjigje të sulmeve të vazhdueshme nga Izraeli. Ndërkohë ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ka paralajmëruar grupin libanez Hezbollah, që të jetë i kujdesshëm, duke shtuar se durimi i Izraelit ndaj “terroristëve” që e kërcënojnë është shteruar. Por, kreu i Hezbollahut, Naim Qasemi, ka deklaruar se grupi libanez do të veprojë si ta vlerësojë, në dritë të asaj që e quajti “agresion brutal izraelito-amerikan” kundër Iranit.
GYLTENE SINANI
