Maqedoni

Banka Popullore: Rritja ekonomike dhe inflacioni këtë vit 3%

20.06.2025 13:54

Pasqyra makroekonomike për ekonominë e vendit nuk ka ndryshuar dukshëm në krahasim me projektimet e tetorit të vitit të kaluar....

Pasqyra makroekonomike për ekonominë e vendit nuk ka ndryshuar dukshëm në krahasim me projektimet e tetorit të vitit të kaluar. Ky vlerësim vjen nga Këshilli i Bankës Popullore, i cili pret përshpejtimin e rritjes ekonomike në dy vitet e ardhshme.
 
“Rritja e ekonomisë vendore gradualisht do të përshpejtohej në periudhën e projektimeve 2025 – 2027. Për këtë vit pritet rritje prej 3 për qind, që paraqet revizion të vogël të pamjaftueshëm në raport me vlerësimin e tetorit, në kushte të ambientit më të pavolitshëm të jashtëm. Për periudhën 2026 – 2027, vlerësimet edhe më tej tregojnë rritje të aktivitetit ekonomik prej 4 për qind. Pritet që bartës kryesor të rikuperimit ekonomik të jenë investimet, mbështetur nga cikli publik infrastrukturor dhe investimet e huaja. Nxitje pozitive pritet edhe nga konsumi personal, në kushte të rritjes së të ardhurave të disponueshme dhe të kreditimit. Rreziqet për rritjen edhe më tej janë të theksuara dhe kryesisht në rënie.”, thekson Banka Popullore, prej ku njëherit presin trend të ngadalësimit të inflacionit.
 
Pritet që inflacioni të reduktohet në mesatare historike prej 2 për qind në vitin 2026 dhe do të mbetet në atë nivel edhe në vitin 2027.
 
“Vlerësimet më të reja udhëzojnë për shkallë mesatare të inflacionit prej 3 për qind në vitin 2025, përkundër pikëpamjeve të tetorit për inflacion prej 2.5 për qind. Ky ndryshim i reflekton realizimet pak më të larta në tremujorin e parë të këtij viti, por edhe revizionet në ngritje të vlerësimeve për çmimin e naftës së papërpunuar dhe të produkteve themelore ushqimore në bursat botërore.”, theksojnë nga Banka Popullore.
 
Rreziqet për inflacionin në masë të madhe ndërlidhen me tensionet gjeopolitike, paqartësinë tregtare të shkaktuar nga politikat proteksioniste, çrregullimet e zinxhirëve të furnizimit dhe faktorët klimatik, thuhet në njoftimin e Bankës Popullore. Për këtë vit parashihet thellim i matur i deficitit në 3.2 për qind të BPV-së, që sipas Bankës Qendrore do të dalë nga suficiti më i ulët tek të ardhurat sekondare, në pajtim me pritjet për stabilizim të shumës nominale të neto-prurjeve nga transferet private, si dhe nga zgjerimi i deficitit të mallrave dhe shërbimeve. Lidhur me sistemin bankar, nga banka qendrore vlerësojnë se ai edhe më tej do të sigurojë mbështetje solide kreditore për ekonominë. Deri në fund të vitit pritet që rritja kreditore të paraqesë 9 për qind.  
 
FLORIJE KAMBERI