Maqedoni
Rindërtohet spitali i Koçanit, kushte më të mira për trajtimin e pacientëve të mbijetuar
20.06.2025 14:04
Qeveria vazhdon me investimet kapitale për përmirësimin e kushteve në spitalin e përgjithshëm të Koçanit....

Qeveria vazhdon me investimet kapitale për përmirësimin e kushteve në spitalin e përgjithshëm të Koçanit. Zëdhënësja e Qeverisë Marija Miteva informon, se me investimet kapitale që aktualisht po zhvillohen aty, do të sigurohen kushte më të mira dhe më dinjitoze për kurimin dhe kujdesin e qytetarëve të këtij qyteti, e në veçanti të pacientëve të mbijetuar në diskotekën “Puls” në Koçan.
“Për momentin po zhvillohet rikonstruimi i hapësirës së mjekësisë fizikale në spitalin e Koçanit me një sipërfaqe prej 350 metra katrorë. Ky rikonstruim është parashikuar të përfundojë brenda 3 apo 4 javëve të ardhshme. Paraprakisht janë zëvendësuar dritaret e vjetra me të reja, është rikonstruuar rrjeti i tërësishëm i kanalizimit dhe ujësjellësit, ndërsa rikonstruimi i mëtejshëm do të vijojë edhe me izolimin e objektit dhe me zëvendësimin e tërësishëm të rrjetit të kanalizimit dhe ujësjellësit vertikal, i cili i lidh repartet e sipërme të mjekësisë fizikale, respektivisht kirurgjisë, gjinekologjisë dhe neurologjisë.”, - deklaroi zëdhënësja e Qeverisë së RMV-së, Marija Miteva.
Drejtoresha e klinikës së përgjithshme të Koçanit informoi se 58 pacientë të mbijetuar në diskotekën e Koçanit veç më u janë shpërndarë veshjet e para kompresive për kurimin e plagëve të marra nga zjarri dhe se po punohet për të siguruar tanimë edhe kremrat dhe ngjitësit e veçantë mjekësor.
“Në bashkëpunim me Qeverinë janë siguruar kremrat e nevojshme për aplikimin e plagëve të marra për këto pacientë. Sasitë e para të këtyre kremrave veç më kanë arritur, ndërsa për sigurimin e sasive të tjera të këtyre kremrave do të kemi mbështetje të vazhdueshme. Njëherit dëshiroj të theksoj se në spitalin tonë kanë arritur edhe 91 ngjitësit e parë dhe të veçantë mjekësore për pacientët të cilët kohë të gjatë i kërkonin, ndërsa dinamika e furnizimit të tyre do të jetë në kontinuitet.”, - deklaroi u.d. drejtoreshë e spitalit në Koçan, Katerina Paniq Mirçovska.
Njëherit Mirçoska bëri të ditur se tanimë është nënshkruar edhe marrëveshja mes spitalit të përgjithshëm të Koçanit dhe spitalit “8 Shtatori” për t’iu siguruar pacientëve të mbijetuar pulmologë të nevojshëm dhe thonë se nga java e ardhshme do të përpilohet edhe lista e tyre, të cilët do të jenë në shërbim të këtyre pacientëve.
REXHEP QAMILI
