Rajon

Kosovë, shënohet Dita Botërore e Refugjatëve

20.06.2025 14:44

Dita Botërore e Refugjatëve qytetarët e Kosovës gjithmonë i kthen në vitin 1999...

Dita Botërore e Refugjatëve qytetarët e Kosovës gjithmonë i kthen në vitin 1999 kur më shumë se një milion refugjatë u dëbuan nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, duke u vendosur në shtetet fqinje, por edhe në shtetet e BE-së dhe në ShBA. Kjo u tha në aktivitetin me moton “Solidaritet me refugjatët”, që u organizua në Prishtinë nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, në bashkëpunim me Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë UNHCR.
 
“Dita e sotme na prek thellë dhe na rikthen në kujtimet tona si komb. Pothuajse gjysma e popullatës sonë ka përjetuar se çka do të thotë të jesh refugjat. Mijëra kosovarë në vitet e errëta të historisë sonë u detyruan t’i lënë vatrat e tyre për të gjetur mbrojtje në vende fqinje dhe më larg. Përvoja jonë si refugjatë nuk është vetëm kujtim i hidhur, por është edhe një pjesë e identitetit tonë kolektiv, një përvojë që na bën edhe më të ndjeshëm dhe më të përgjegjshëm për të reaguar, vepruar dhe ofruar shërbime adekuate të gjithë atyre që i qasen Kosovës si një vend më i sigurt.”, - deklaroi drejtoresha ekzekutive e QKRMT-së, Feride Rushiti.                           
 
“Të qenët refugjat është një prej ndjesive më të vështira dhe që nuk është zgjedhje e jona, por është një veprim i imponuar, një detyrim, një nevojë urgjente për të arritur të shpëtohet jeta për të qenë gjallë. E çdo qenie e gjallë duhet që të trajtohet me dinjitet.”, - theksoi avokati i popullit, Naim Qelaj.
 
“Që nga viti 2000, mbi 29.000 persona të zhvendosur nga komunitetet joshumicë kanë gjetur zgjidhje të qëndrueshme në Kosovë. Kjo është me të vërtetë një arritje e madhe, por çështja e zhvendosjes në Ballkanin Perëndimor dhe për Kosovën nuk ka përfunduar ende.”, - u shpreh koordinatorja për Zhvillim e OKB-së, Arnhild Spence.
 
“Gjatë këtij viti të fundit, sfidat me të cilat përballen refugjatët vetëm janë intensifikuar. Me rritjen e nevojave globale dhe një krizë të thelluar të financimit, operacionet e UNHCR-së, përfshirë edhe këtu në Kosovë, po kalojnë në një proces ristrukturimi. Megjithatë, përkushtimi ynë mbetet i palëkundur për të mbështetur, mbrojtur dhe qëndruar në solidaritet me ata që janë zhvendosur.”, - deklaroi shefi i Misionit të UNHCR-së në Kosovë, Arjun Shrestha.
 
Me këtë rast u theksua se mbi 120 milionë njerëz në botë aktualisht nuk i kanë të garantuara as të drejtat minimale për të jetuar në vendbanimet e tyre.
 
GYLTENE SINANI