Botë

Sulme të reja në Iran dhe Izrael, BE-ja bën përpjekje për negociata me Iranin, Irani: Nuk pranojmë negociata nën sulme

20.06.2025 14:56

Nuk ka qetësi në Lindjen e Mesme, shpërthime të reja ka pasur në Izrael dhe Iran...

Nuk ka qetësi në Lindjen e Mesme, shpërthime të reja ka pasur në Izrael dhe Iran. Teherani përsëri shënjestroi Bershebën, ddërsa forcat izraelite bombarduan Iranin veriperëndimor. Tel Avivi është i vendosur që të shkojë deri në fund dhe të arrijë qëllimin final, që sipas tyre është asgjësimi i programit bërthamor i Iranit dhe këtë do ta bëjë me ose pa mbështetjen e ShBA-së.
 
“Thash se do ta ndërrojmë fytyrën e Lindjes së Mesme dhe tani them që jemi duke e ndryshuar fytyrën e tërë botës. Vendosa që ne të arrijmë të gjitha qëllimet tona, të gjitha objektet e tyre bërthamore t’i shkatërrojmë. Ne kemi fuqinë për ta bërë këtë. Por, është vendimi i presidentit Tramp, nëse dëshiron të na bashkohet neve ose jo, ne mund të vazhdojmë edhe vetëm. Por, çdo ndihmë është e mirëseardhur.”, - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
 
Trampi nuk e përjashton mundësinë për sulm mbi Iranin, por i jep përparësi diplomacisë, me shpresën që Teherani do të dorëzohet pas sulmeve të vazhdueshme izraelite.
 
“Kam një mesazh drejtpërdrejt nga presidenti. Citoj: “Bazuar në faktin që ekziston një mundësi reale për negociata që mund të ndodhin me Iranin në të ardhmen e afërt, vendimin për t'u bashkuar apo jo do ta marrim në dy javët e ardhshme.”, - theksoi sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavit.
 
Janë duke u zhvilluar bisedime mbi programet bërthamore midis Iranit dhe BE-së. Ministrat evropianë janë të gatshëm për diplomaci, nëse ekziston gatishmëri serioze nga Teherani për të dhënë garanci për programet e tij bërthamore dhe raketore.
 
“Mbretëria e Bashkuar, Franca, si dhe përfaqësuesja e Lartë e BE-së janë të gatshme për të vazhduar negociata, vetëm nëse Irani ka gatishmëri serioze për të hequr dorë nga çdo pasurim i materialit bërthamor, i cili mund të çojë në armatim bërthamor, përfshirë edhe programin e raketave. Por, topi tani është në fushën e Iranit.”, - u shpreh ministri i Jashtëm gjerman, Johan Vadephul. 
 
Shefi i diplomacisë iraniane është kategorik. “Nuk do të negociojmë me asnjë palë, derisa Izraeli kryen sulme.”.
 
“Derisa sulmet e regjimit sionist vazhdojnë, nuk kërkojmë negociata me asnjë. Rezistenca e guximshme e forcave tona zbulon gradualisht supozimet e gabuara të armikut se me një sërë goditjesh të ashpra ata mund ta detyrojnë kombin iranian të dorëzohet.”, - deklaroi ministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Abaz Aragçi.
 
Ndërhyrja e ShBA-së në Iran, sipas Rusisë konsiderohet e rrezikshme. Autoritetet ruse thonë se përdorimi i mundshëm i armëve taktike bërthamore nga Shtetet e Bashkuara në Iran do të ishte një zhvillim katastrofik. Rusia, e cila ka lidhje të ngushta me Iranin, ka paralajmëruar se do të jetë e ashpër kundër një ndërhyrjeje ushtarake të ShBA-së në anën e Izraelit.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU