Maqedoni

Rasti "Onkologjia", Prokuroria kërkon paraburgim për ish-drejtorin, Mbrojtja insiston në liri

20.06.2025 15:33

Në seancë publike në Gjykatën e Apelit në Shkup, Pokuroria Publike kërkon shfuqizimin e arrestit shtëpiak...

Në seancë publike në Gjykatën e Apelit në Shkup, Pokuroria Publike kërkon shfuqizimin e arrestit shtëpiak dhe caktimin e paraburgimit efektiv ndaj ish-drejtorit të Klinikës së Onkologjisë, Nino Vasev, i akuzuar në rastin “Onkologjia”. Sipas prokurores Fatime Fetai, vetëm kjo masë do të sigurojë praninë e të akuzuarit dhe zhvillimin pa pengesa të procedurës. Ajo shtoi se ekziston rrezik real që Vasevi të arratiset, duke marrë parasysh peshën e veprave dhe lartësinë e dënimit të mundshëm. Konfiskimi i pasaportës sipas saj nuk jep siguri se ai nuk do të arratiset, për shkak se në disa nga vendet fqinje mund të udhëtohet edhe me letërnjoftim.
 
“Qëndrimi i Prokurorisë së Lartë Publike është se në këtë fazë të procedurës, duke i pasur parasysh të gjitha rrethanat që kanë lidhshmëri me veprat penale që i ngarkohen të dyshuarit, masa e paraburgimit paraqet garanci të mjaftueshme për sigurimin e pranisë së të dyshuarit dhe realizmin me sukses të procedurës penale. Po i dyshuari ka bashkëpunuar, ka pasur masa dhe i ka respektuar ato, megjithatë ajo ka qenë kohë më parë kur Prokuroria akoma nuk e ka mbledhur atë sasi të provave, të cilat bazat fillestare të dyshimit do t’i ngritnin në nivel më të lartë, në atë shkallë që janë tani.”, - deklaroi prokurorja, Fatime Fetai.
 
Ndërkohë, i dyshuari ish-drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Nino Vasev, para Gjykatës së Apelit kërkoi të mbrohet në liri, pasi që sipas tij, ai ka respektuar të gjitha procedurat, ka bashkëpunuar me të gjitha institucionet, ka dhënë deklarata dhe nuk ka tentuar të arratiset. Nga gjykata kërkoi gjykim të drejtë. Edhe mbrojta e të dyshuarit, avokati Nikola Stavrev, insiston që Vasevi të mbrohet në liri. Ai para gjykatës theksoi se i akuzuari deri më tani ka pasur sjellje korrekte dhe se nuk ekzistojnë kushte për paraburgim. Në rastin “Onkologjia”, Prokuroria Themelore ka ngritur dy aktakuza kundër dy ish-drejtorëve dhe katër mjekëve onkologë. Nino Vasevi është i akuzuar për “keqpërdorim të pozitës zyrtare”, “mashtrim në detyrë” dhe “përvetësim në detyrë”, me ç’rast, sipas Prokurorisë, buxheti i shtetit është dëmtuar për mbi 2.2 miliardë denarë. 
 
FLORIJE KAMBERI