Maqedoni

Gjykimi për Vanjën dhe Pançen, Manevi zbuloi se kush e fshehu armën

20.06.2025 16:06

Në fjalët përfundimtare për rastin me vrasjen e Vanja Gjorçeskës dhe Pançe Zhezhovskit...

Në fjalët përfundimtare për rastin me vrasjen e Vanja Gjorçeskës dhe Pançe Zhezhovskit, i akuzuari Velibor Manev papritmas zbuloi se kush e mori dhe e asgjësoi çantën në të cilën pretendohet se ka qenë arma me të cilën u vranë viktimat. Sipas tij, bëhet fjalë për Zoran Davidkovin, i punësuar në Bankën Popullore. Pas kësaj deklarate, Prokuroria menjëherë urdhëroi arrestimin e tij. Tani ai në hetim duhet të tregojë se ku e çoi çantën blu me armën, që sipas Manevit ka qenë me urdhër të Palevskit, i cili më pas ishte arratisur për në Turqi. I akuzuari Manev theksoi se këtë veprim e bëri i indinjuar që Palevski po e fajësonte për vrasjet dhe sidomos që, siç tha ai, e kishte mashtruar duke thënë se do të rrëmbenin njerëz vetëm për shpërblim dhe do t'i lironin dhe në vend të kësaj, Palço i vrau me armë.
 
“Mendoj se kjo që e tregoi ishte edhe para disa muajve, ku unë personalisht si mbrojtje e Palevskit insistova që ai person edhe atëherë të zbulohet. Për fat të keq në fjalët përfundimtare kjo u zbulua. Ashtu siç filloi, ashtu dhe mbaroi procedura, në mënyrë të keqe, jo dinjitoze, me shumë lëshime në procedurë dhe nga Prokuroria.”, - theksoi avokati, Jovica Strashevski.
 
Strashevski në fjalën e tij përfundimtare për Palevskin kërkoi lirim nga akuzat  dhe njoftoi se nëse ai do të dënohet, vendimin do ta procesojnë deri në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Ndërkohë Palevski tha se Prokuroria e ka falsifikuar akuzën dhe se për akuzën ndaj tij nuk ekzistojnë dëshmi. 
 
FLORIJE KAMBERI