Botë
Rusia sulmon disa qytete në Ukrainë, Zelenski fajëson të gjitha regjimet totalitare
20.06.2025 16:39
Odesa iu nënshtrua gjatë natës një tjetër sulmi masiv me dronë rusë, përveç sulmeve që kishin ndodhur një ditë më parë....

Odesa iu nënshtrua gjatë natës një tjetër sulmi masiv me dronë rusë, përveç sulmeve që kishin ndodhur një ditë më parë. Të paktën dhjetë dronë goditën zonat e banimit dhe infrastrukturën, duke shkaktuar shkatërrime të gjera dhe zjarre. Një person u vra dhe 14 të tjerë u plagosën, përfshirë tre punonjës të emergjencës që u lënduan ndërsa po reagonin ndaj pasojave. Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski njoftoi se sulme ka pasur edhe në Kiev dhe akuzoi regjimet totalitare për ndihmën që i japin Rusisë kundër Ukrainës në këtë luftë.
“Nuk kishte asnjë logjikë sulmi në Kiev. Ky është terror i qëllimshëm që ushtria e Putinit po e bën gjithkund, nga Çeçenia në Siri. Pikërisht kjo i bashkon me regjimet si ai në Iran dhe Korenë Veriore. Tani po mundohen ta shpëtojnë programin nuklear në Iran. Kur ndonjë nga aleatët e tyre do ta humbë mundësinë për zgjerimin e luftës, Rusia mundohet të përzihet, kjo është cinike. Kjo dëshmon se regjimeve agresive nuk guxon t’u lejohet të bashkohen dhe të jenë partnerë. Kur shahedët iranian dhe raketat balistike nga Korea veriore i vrisnin njerëzit tanë në Ukrainë, kjo dëshmon se solidariteti global dhe presioni janë të pamjaftueshme. Sanksionet patjetër të jenë shumë më të ashpra.”, - deklaroi president i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Sulme ruse ka pasur edhe në Harkiv, janë goditur lagjet Shevchenkivskyi dhe Osnovianskyi. Sipas kryetarit të bashkisë Ihor Terekhov u regjistruan të paktën pesë goditje, duke përfshirë goditje në zona banimi private, një oborr dhe një kompleks banimi të papërfunduar.
"Rreth orës njëmbëdhjetë e gjysmë, një dron Shahed goditi zonën. Në fillim, ishte diku në distancë, pastaj një i dytë dhe pastaj i treti erdhi te ne, por arritëm të fshiheshim, ta çonim fëmijën në vend të sigurt. Të gjitha dritaret u shpërthyen, makinat janë dëmtuar.", - theksoi banori i Harkivit, Aleksandër.
Pavarësisht luftimeve në terren, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, tha se Rusia pret që të arrijë dakordim me Ukrainën brenda javës së ardhshme rreth rundit të tretë të bisedimeve për paqen. Konflikti është intensifikuar në javët e fundit, përderisa Rusia ka ndërmarrë disa nga sulmet më të fuqishme ajrore që prej fillimit të luftës, në kundërpërgjigje ndaj sulmit të befasishëm me dronë të Ukrainës mbi bazat e saj ajrore në fillim të muajit.
FARIJE DAUTI BAKIJU
