Maqedoni
Rasti "Onkologjia", Apeli vendosi në paraburgim efektiv dy ish-drejtorët
20.06.2025 16:45
Gjykata e Apelit, pas mbajtjes së seancës publike, ka pranuar ankesat e Prokurorisë Publike...

Gjykata e Apelit, pas mbajtjes së seancës publike, ka pranuar ankesat e Prokurorisë Publike dhe ka caktuar masën e paraburgimit efektiv ndaj dy ish-drejtorëve të Spitalit të Onkologjisë, Nino Vasev dhe Nehad Nuhi. Gjykata informoi se masa e arrestit shtëpiak për Vasevin dhe Nuhiun është zëvendësuar, për shkak të ekzistencës së dyshimit të bazuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, mashtrim në shërbim dhe përvetësim në shërbim. Paraprakisht prokurorja Fatime Fetai theksoi se vetëm masa e paraburgimit mund të sigurojë praninë e të akuzuarve dhe zhvillimin pa pengesa të procedurës. Ajo shtoi se ekziston rrezik real, që të dyshuarit të arratisen, duke marrë parasysh peshën e veprave dhe lartësinë e dënimit të mundshëm.
“Qëndrimi i Prokurorisë së Lartë Publike është se në këtë fazë të procedurës, duke i pasur parasysh të gjitha rrethanat që kanë lidhshmëri me veprat penale që i ngarkohen të dyshuarit, masa e paraburgimit paraqet garanci të mjaftueshme për sigurimin e pranisë së të dyshuarit dhe realizmin me sukses të procedurës penale. Po, i dyshuari ka bashkëpunuar, ka pasur masa dhe i ka respektuar ato, megjithatë ajo ka qenë kohë më parë kur Prokuroria akoma nuk e ka mbledhur atë sasi të provave, të cilat bazat fillestare të dyshimit do t’i ngritnin në nivel më të lartë, në atë shkallë që janë tani.”, - deklaroi prokurorja, Fatime Fetai.
Ndërkohë, të dyshuarit kërkuan që të mbrohen në liri. Nino Vasevi, para se gjykata të sillte vendimin, tha se ai i ka respektuar të gjitha procedurat, ka bashkëpunuar me të gjitha institucionet, ka dhënë deklarata dhe nuk ka tentuar të arratiset. Ndërkohë Nehat Nuhi, para gjykatës si rrethana i ka nënvizuar angazhimet e tij në punë, se është prind i tre fëmijëve të mitur dhe se e ka nënën e sëmurë. Tha se është i pafajshëm dhe për ta dëshmuar këtë do të luftojë deri në fund. Në rastin “Onkologjia”, Prokuroria Themelore ka ngritur dy aktakuza kundër dy ish-drejtorëve dhe tre mjekëve onkologë. Nino Vasevi është i akuzuar për “keqpërdorim të pozitës zyrtare”, “mashtrim në detyrë” dhe “përvetësim në detyrë”, me ç’rast, sipas Prokurorisë, buxheti i shtetit është dëmtuar për mbi 2.2 miliardë denarë.
FLORIJE KAMBERI
