Botë
Lindja e Mesme, vazhdojnë sulmet mes Izraelit dhe Iranit
23.06.2025 11:56
Izraeli dhe Irani kanë vazhduar sulmet....

Izraeli dhe Irani kanë vazhduar sulmet. Forcat Ajrore të Izraelit njoftuan se mëngjesin e sotëm kanë goditur infrastrukturë ushtarake në Kermanshah, në Iranin perëndimor. Gjatë natës 20 avionë izraelitë kryen sulme ndaj depozitave të raketave, sistemeve të lëshimit, radarëve dhe pajisjeve satelitore. Autoritetet izraelite thonë se këto goditje ishin ndër më të fuqishmet që nga fillimi i përplasjes me Iranin dhe synojnë të dobësojnë më tej kapacitetet e raketave balistike të Teheranit. Nga ana tjetër, reagimi i Iranit gjatë natës ishte i kufizuar: vetëm një raketë u lëshua në drejtim të Izraelit rreth orës 03:00 me orën lokale. Gjithashtu, një dron iranian u rrëzua mëngjesin e sotëm, në jug të Izraelit. Kryeministri izraelit Netanjahu ka deklaruar se janë shumë afër arritjes së qëllimit.
“Kur të arrihet të përfundojë operacioni dhe luftimet do të ndërpriten po shkojmë përpara që t’i arrijmë qëllimet dhe jemi shumë afër që t’i arrijmë.”, - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Uashingtoni një ditë pas sulmeve në objektet kryesore të pasurimit bërthamor thonë se nuk është në luftë me Iranin dhe se ende ka gjasa për paqe. Nëse Teherani nuk pranohet paqe, atëherë presidenti amerikan kërcënon me sulme të reja dhe ndryshim të regjimit në Iran.
“E kemi prolonguar mjaftueshëm zhvillimin e tyre të armës nukleare. Dhe ky ishte qëllimi i këtij sulmi. E prolonguam programin e tyre për shumë kohë. Ky është rifillim, kjo është mundësi për iranianët që ta zgjedhin rrugën e mençur.”, - theksoi zëvendëspresidenti i ShBA-së, Xhej Di Vens.
Vet Trampi thotë se nuk është korrekte të përdoret termi ndryshim i regjimit, por nëse regjimi aktual nuk mund ta bëjë Iranin përsëri të madh, pse të mos ketë edhe ndryshim të regjimit. Por, për Iranin sulmi amerikan e ka shkatërruar diplomacinë. Komandanti i lartë i Forcave të Armatosura të Iranit ka lëshuar një paralajmërim të ashpër ndaj Shteteve të Bashkuara, duke deklaruar se Uashingtoni “ka hapur derën për hakmarrje” dhe se Irani “nuk do të tërhiqet kurrë”. Të njëjtën ka lënë të kuptohet edhe ambasadori iranian në OKB.
“Koha dhe përmasa e përgjigjes proporcionale e Iranit do të vendosen nga forcat e armatosura. Edhe kësaj radhe do ta dëshmojmë dinjitetin tonë, forcën dhe madhësinë para botës.”, - u shpreh ambasadori i Iranit në OKB, Amir Said Iravani.
Rusia në mbështetje të aleatit të saj, Iranit.
“Me veprimin e saj, ShBA-ja e hap kutinë e Pandorës. Askush nuk e di se çfarë katastrofash dhe vuajtjesh do të sjellin.”, - deklaroi ambasadori i Rusisë në OKB, Vasilij Nebenzja.
Por, Izraeli thotë se sulmet amerikane ishin të domosdoshme.
“Ky aksion ishte i domosdoshëm. Teherani e shfrytëzonte tavolinën e bisedimeve për të blerë kohë derisa po pasuronte uraniumin dhe ndërtonte raketa. Mos u gënjeni, çmimi i mosveprimit do të ishte katastrofale.”, - theksoi ambasadori i Izraelit në OKB, Deni Danon.
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Guteres, kërkoi nga Irani që ta respektojë në tërësi marrëveshjen për mospërhapjen e armëve nukleare, ndërsa të gjitha vendet anëtare të OKB-së ta respektojnë kartën e Kombeve të Bashkuara. Ndërkohë autoritetet iraniane kanë sjellë vendim që ta mbyllin ngushticën e Hormuzit, gjë që ka ndikuar në rritjen e çmimit të naftës. ShBA-ja ka kërkuar nga Kina që të ndikojë te Irani të heqë dorë nga mbyllja e ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth 20 për qind e konsumit ditor botëror të naftës.
