Maqedoni

Tensionet në Lindjen e Mesme, partitë shqiptare mbështesin ShBA-në dhe partnerët

23.06.2025 14:04

Koalicioni VLEN thekson mbështetjen për veprimet e vendosura dhe diplomacinë e partnerëve strategjikë si ShBA, NATO dhe BE....

Koalicioni VLEN thekson mbështetjen për veprimet e vendosura dhe diplomacinë e partnerëve strategjikë si ShBA, NATO dhe BE.
 
“Maqedonia e Veriut gjithmonë angazhohet për paqe! Shteti ynë, VLEN mbështesin përpjekjet e partnerëve strategjikë për mbrojtjen e sigurisë globale. Si subjekt politik serioz pjesë e pushtetit, jemi kundër përhapjes dhe përdorimit të armëve bërthamore, si dhe kundër kërcënimeve bërthamore dhe në këtë drejtim japin mbështetje për veprimet e fuqishme dhe të vendosura, si dhe diplomacinë e partnerëve tanë drejt arritjes së këtij qëllimi. Maqedonia e Veriut është partnere e përkushtuar e ShBA-së, NATO-s dhe BE-së. Ne kemi nevojë për një botë ku siguria dhe dialogu janë vlera që askush nuk guxon t’i rrënojë.”, thonë nga VLEN. 
 
Edhe BDI shpreh shqetësimin e thellë për përshkallëzimin e situatës në Lindjen e Mesme dhe mbështet përpjekjet e koordinuara të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre për të parandaluar përhapjen e armëve bërthamore në duar të regjimeve autoritare.
 
“Zhvillimet e fundit tregojnë se bota demokratike nuk mund të qëndrojë duarkryq përballë rrezikut të një Irani të armatosur bërthamor, që do të përbënte një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë globale, paqen në rajon dhe të drejtat e miliona qytetarëve të pafajshëm. BDI qëndron fuqishëm në anën e vlerave euroatlantike: parandalimit të kërcënimeve bërthamore, mbrojtjes së paqes dhe forcimit të sistemit ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe përgjegjësi. Kjo është një kohë që kërkon vendosmëri, koordinim dhe maturi.  BDI rithekson përkushtimin e saj ndaj paqes, sigurisë kolektive dhe partneritetit të pathyeshëm me ShBA-në, NATO-n dhe Bashkimin Evropian.”, theksojnë nga BDI.
 
Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës në reagimin e saj thotë se po ndjek me shqetësim të madh përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe mbështet angazhimin e vazhdueshëm të partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve, për të parandaluar rrezikun që paraqet përhapja e armëve bërthamore.
 
“Zhvillimet aktuale dëshmojnë se bashkësia ndërkombëtare duhet të veprojë me përgjegjësi dhe të ndërmarrë hapa të qarta për të ruajtur stabilitetin, sigurinë dhe rendin global. Një Iran i pajisur me armë bërthamore do të paraqiste një kërcënim serioz jo vetëm për rajonin, por edhe për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Aleanca për Shqiptarët mbetet e përkushtuar ndaj vlerave euroatlantike dhe beson fuqishëm se siguria, paqja dhe respektimi i rendit ndërkombëtar janë thelbësore për të ardhmen e qëndrueshme të të gjithë qytetarëve.”, theksojnë nga ASh-ja e Ziadin Selës.
 
Edhe Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit në reagimin e saj shpreh mbështetje për qëndrimin e ShBA-së dhe BE-së ndaj programit bërthamor të Iranit dhe dënon çdo përpjekje për të destabilizuar paqen globale.
 
“Aleanca për Shqiptarët përkrah fuqishëm qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian ndaj programit bërthamor të Iranit, si dhe ndaj çdo përpjekjeje për të minuar paqen globale përmes fuqisë shkatërruese. ShBA-ja mbetet aleati ynë më i rëndësishëm, partneri strategjik dhe miku ynë i pazëvendësueshëm.”, thuhet në reagimin e partisë së Taravarit.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU