Maqedoni

Njëvjetori i Qeverisë VMRO – VLEN, Mickoski: Maqedonia po bëhet përsëri krenare

23.06.2025 14:32

Mickoski për njëvjetorin e kësaj qeverie vlerëson se është bërë shumë për t’i vendosur themelet e ndryshimeve...

Rivendosja e themeleve ekonomike dhe politike të Maqedonisë së Veriut, realizimi i projekteve të reja infrastrukturore, rritja e pagave pothuajse në çdo sektor, shlyerja e pensioneve të papaguara dhe subvencioneve, si dhe hapja e vendeve të reja të punës, avancime të vazhdueshme dhe investime të huaja në vlerë prej 1.2 miliard euro, këto janë vetëm disa nga të arriturat për një vit qeverisjeje VMRO-DPMNE dhe VLEN. Kryeministri Hristijan Mickoski për njëvjetorin e kësaj qeverie vlerëson se është bërë shumë për t’i vendosur themelet e ndryshimeve, duke siguruar jetesë më të mirë dhe më dinjitoze për të gjithë qytetarët. Përveç kësaj, tha Mickoski, kjo qeveri si asnjë më parë ka arritur të sigurojë tekste të reja shkollore, janë miratuar 229 milionë denarë për projekte nga fusha e mjedisit jetësor, 500 milionë euro për biznesin dhe projekte kapitale për komunat. 
 
“Maqedonia dalëngadalë përsëri po bëhet krenare. Gjithçka që bëmë brenda një viti qeverisjeje ishte pikërisht mbyllja e zbrazëtirave dhe shlyerja e pagave që e trashëguam nga ata që e poshtëruan Maqedoninë, nga LSDM-ja dhe BDI-ja. Ne shlyem pensione dhe paga të papaguara, që ata nuk i kishin paraparë në kohë. Shpërndamë subvencione të shumta për fermerët dhe kjo nuk ishte pengesë për të arritur edhe marrëveshje historike për punonjësit e arsimit dhe të shëndetësisë për t’i rritur pagat dhe për të realizuar projektet që ata nuk i realizuan dhe për të filluar edhe projekte të reja.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
 
Filipçe: Situata ekonomike, alarmante
 
Por, kështu nuk mendojnë socialdemokratët. Kryetari i saj, Venko Filipçe, vlerëson se “pas një viti të qeverisë së re, situata me ekonominë është alarmante”, ndërsa Maqedonia është poshtëruar ekonomikisht falë VMRO-DPMNE-së.
 
“Sot pas një viti qeverisjeje të VMRO-DPMNE-së, VLEN-it dhe Lëvizjes “E di”, e vërteta është e dhimbshme,  Maqedonia nuk është krenare, Maqedonia është e poshtëruar. Të poshtëruar dhe nënvlerësuar janë bujqit, punëtorët,të rinjtë të cilët po shpresonin se do të kenë një të ardhme më të mirë në vendlindje.  Një vit ishte i mjaftueshëm për të parë se VMRO-DPMNE erdhi në pushtet përmes një gënjeshtre të madhe dhe këtë gjë  e shohin qytetarët.  Nuk ka krenari pa paga dinjitoze dhe perspektivë më të mirë për të rinjtë, me institucione të partizuara dhe drejtësi, e cila vlen për të gjithë, përveç për funksionarët e pushtetit. VMRO-DPMNE, “E Di” dhe VLEN e zhytën vendin në  krizë të  thellë ekonomike. E bllokuan rritjen e pagave, duke i lënë tregtarët dhe të fuqishmit të bëjnë çfarë të duan me çmimet, u rrit çmimi i nxehjes qendrore, rrymës, ndërkohë qytetarët druajnë të hapin faturat e tyre për të parë se sa duhet të paguajnë çdo muaj.”, - theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
 
Më 23 qershor të vitit të kaluar, me 77 vota “për” dhe 22 “kundër”,  u zgjodh Qeveria në krye me Mickoskin e përbërë nga koalicioni qeveritare VMRO-DPMNE, VLEN dhe Lëvizja “E di”.  Kundër  kësaj qeverie votuan LSDM, E Majta, ndërsa Fronti Evropian pak para votimit aso kohe braktisi seancën. 
 
REXHEP QAMILI