Maqedoni

Përfaqësimi i shqiptarëve, partitë shqiptare shkëmbejnë akuza

23.06.2025 14:36

Fronti Evropian ka adresuar kritika ndaj koalicionit VLEN sa i takon përfaqësimit të shqiptarëve në institucione, si dhe përdorimin e gjuhës shqipe...

Fronti Evropian ka adresuar kritika ndaj koalicionit VLEN sa i takon përfaqësimit të shqiptarëve në institucione, si dhe përdorimin e gjuhës shqipe. Deputeti Blerim Bexheti theksoi se propozim-ligji për përfaqësimin e shqiptarëve në institucione, që pritet të miratohet nga Qeveria, nuk është dinjitoz dhe se përpjekja e tyre për përfaqësim të drejtë nuk do të ndalet.
 
“Punësimet favorizojnë etninë maqedonase duke u justifikuar me një meritokraci false, që nënvlerëson shqiptarët dhe etnitetet tjera. Avancimet jepen vetëm për militantët e VMRO-së dhe aleatët e tyre maqedonas. Ligji për përfaqësimin e drejtë është i bllokuar ose më saktë përmes një procesi dhjetëmujor të mbuluar me fshehtësi të lartë, nesër pritet të miratohet një propozim-ligj që nuk është ligj për përfaqësimin, por ligj për poshtërimin dhe degradon totalisht shtyllën kryesore të Marrëveshjes së Ohrit, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat.”, - deklaroi koordinatori i Frontit Evropian, Blerim Bexheti.
 
Nga koalicioni VLEN thonë se situata me qeverisjen aktuale veç më ka ndryshuar, për dallim nga një vit më parë, ku sipas tyre, shoqëria përballej me epidemi korrupsioni. Deputeti Bekim Qoku theksoi se avancimet dhe përfaqësimi i shqiptarëve tani është i dukshëm.
 
“Me VLEN-in në Qeveri nuk ka më që me 20 vjet përvojë pune dhe ende të jenë bashkëpunëtorë të rinj. Ne e dimë se janë diku 800 avancime që po bëhen në mbarë administratën, vetëm në Kuvend janë 8 avancime që janë bërë. Ligji ka karakter universal dhe pretendon që të ketë edhe barazi, pasi para ligjit janë të gjithë të barabartë dhe ai bëhet që të garantojë një përfaqësim të drejtë për të gjitha komunitetet, përfshi komunitetin maqedonas, shqiptarë, turk, e kështu me radhë.”, - theksoi koordinatori i koalicionit VLEN, Bekim Qoku. 
 
Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të martën pritet të kalojë në Qeveri dhe më pas t’i nënshtrohet procedurës parlamentare. Ligji do të zëvendësojë balancuesin, për të cilën Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi me pretendimin se është keqpërdorur gjatë punësimeve në administratën shtetërore.
 
MERAL ISMAILI