Maqedoni

Zgjedhjet lokale, Qoku: Mbështesim kandidatin e pavarur në Strugë

23.06.2025 14:51

Të dy koalicionet shqiptare, ai në pushtet (VLEN) dhe Fronti Evropian në opozitë, premtojnë kandidatët më të mirë për zgjedhjet lokale të tetorit....

Të dy koalicionet shqiptare, ai në pushtet (VLEN) dhe Fronti Evropian në opozitë, premtojnë kandidatët më të mirë për zgjedhjet lokale të tetorit. Nga koalicioni VLEN akoma nuk i kanë publikuar emrat e kandidatëve për kryetarë komune apo edhe bashkëpunimit të mundshëm. Bekim Qoku nga VLEN-i konfirmoi se do ta mbështesin kandidatin e pavarur në Strugë, ndërsa nuk e përjashton mundësinë e bashkëpunimit në zgjedhjet lokale me partnerin e koalicionit VMRO-DPMNE. 
 
“Ne kur do të dalim me kandidatë, do të jenë të mirë, praktik, të pranuar në përgjithësi dhe do t’i zgjedhim më të mirët të mundshëm. Pra, nuk i kemi ende kandidatët, bëjmë analiza, anketime, por besoj dhe shpresoj se në fund të muajit të dalim me kandidatë. Po, në Strugë do të kemi kandidat të pavarur dhe besoj se do ta mbështesim si kandidat.”, - deklaroi Bekim Qoku nga VLEN.
 
Bexheti: Ndarja e komunave akoma s'ka përfunduar
 
Blerim Bexheti nga BDI njoftoi se publiku do të informohet për një front të gjerë jo vetëm me parti politike, por edhe me të gjithë qytetarët, intelektualët dhe organizatat, për të treguar pakënaqësinë ndaj Qeverisë. Megjithatë, ai nuk precizoi nëse në këtë bashkëpunim bën pjesë edhe Aleanca për Shqiptarët të Arben Taravarit. Sa i përket ndarjes së komunave brenda Frontit Evropian, Bexheti tha se akoma nuk kanë vendim përfundimtar.
 
“Bëhen analiza në kuadër të Frontit Evropian dhe në kuadër të të gjitha partive politike se cili kandidat ku do të garojë, cilët këshilltarë. Këto zgjedhje lokale ne shqiptarët, turqit dhe të gjitha etnitetet tjera i shohim si referendum të pakënaqësisë politike që po ndodh në shtet. Ndërsa për kandidatët, të jeni të sigurt se ne do të zgjedhim kandidatët më të mirë të mundshëm. Kush ku do të garojë, ditëve në vijim do të njoftoheni në mënyrë zyrtare, edhe për emrat e përveçëm, por edhe për atë se cilës parti i takojnë ata njerëz.”, - theksoi Blerim Bexheti nga Fronti Evropian. 
 
Për zgjedhjet lokale po përgatitet edhe ASh-ja e Arben Taravarit, e cila deri më tani ka bërë të ditur se do të garojë me listat e saja për këshilltarë, ndërsa jozyrtarisht kjo parti është në konsultim e sipër me BDI-në për bashkëpunim lidhur me kandidatët për kryetarë komunash.   
 
FLORIJE KAMBERI