Botë
Situata në Ukrainë, Rusia sulmon Kievin dhe vendbanimet përreth, Zelenski: Kemi kriza të reja, nevojitet diplomaci
23.06.2025 15:15
Sulmet ruse me raketa dhe dronë kanë shënjestruar zonat e banimit në lagje të shumta anembanë Kievit....

Sulmet ruse me raketa dhe dronë kanë shënjestruar zonat e banimit në lagje të shumta anembanë Kievit, ku të paktën dhjetë persona kanë ngelur të vrarë. Sipas forcave ajrore ukrainase, Rusia ka përdorur edhe raketa balistike dhe raketa lundrimi. Të paktën gjashtë njerëz janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në sulmet ruse me dronë dhe raketa në kryeqytetin e Ukrainës gjatë natës, njoftuan shërbimet e emergjencës të Ukrainës.
Në një zonë tjetër të Ukrainës, një sulm me dron rus me rreze të shkurtër veprimi vrau dy njerëz dhe plagosi dhjetë të tjerë në rajonin e Çernihivit, thanë autoritetet, sipas të cilave edhe tre fëmijë janë mes të plagosurve. Në një qytet tjetër të Ukrainës, Bila Tserkva, u vra një person dhe u plagosën tetë të tjerë.
Presidenti i Ukrainës Volodimir Zelenski ngre alarmin për ndezjen e diplomacisë botërore, në mënyrë që të ndërpriten luftërat dhe konfliket që kanë kapluar botën.
“Mora raport për situatën në Lindjen e Mesme dhe rajonit të Gjirit pas sulmeve amerikane mbi objektet që lidhen me programet nukleare të regjimit iranian, regjim i cili bëri shumë për ta shpëtuar Putinin. Për momentin, valë të reja të aeroplanëve pa pilot mbi qiellin e Ukrainës. Patjetër të thuhet se diploamcia duhet të fillojë të funksionojë gjithkund, në Lindjen e Mesme, në rajonin e Gjirit dhe këtu në Evropë, në Ukrainë.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Autoritetet ukrainase thonë se Rusia është e etur të rrisë presionin, në kohën kur vëmendja globale është e përqëndruar te zhvillimet në Lindjen e Mesme.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
