Botë
Lindja e Mesme, Liderët botërorë bëjnë thirrje për dialog
23.06.2025 15:31
Kina ka bërë thirrje për përpjekje më të mëdha ndërkombëtare për të ulur tensionet në konfliktin Izrael-Iran...

Kina ka bërë thirrje për përpjekje më të mëdha ndërkombëtare për të ulur tensionet në konfliktin Izrael-Iran, me qëllim parandalimin e ndikimit të mëtejshëm në ekonominë globale, ndërsa Irani synon mbylljen e Ngushticës së Hormuzit si hakmarrje për sulmet amerikane në centralet e tij bërthamore.
“Sulmet e ShBA-së ndaj objekteve të pasurimit bërthamor të Iranit i shkelin seriozisht qëllimet dhe parimet e kartës së OKB-së dhe i përkeqësuan tensionet në Lindjen e Mesme. Këshilli i sigurimit të OKB-së nuk mund të rrijë me duarkryq.”, - deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Guo Jiakun.
Edhe liderët perëndimorë bëjnë apel që të mos ketë eksalim të pakontrolluar në Lindjen e Mesme, ndërsa shprehen kundër mundësisë që Irani të vijë deri te armët bërthamore.
“Rivendosja e diskutimeve diplomatike dhe teknike është mënyra e vetme për arritjen e qëllimeve që i kërkojnë të gjithë, e ajo është që Irani të mos prodhojë armë bërthamore. Por, edhe të mos ketë eskalim të pakontrolluar të rajonit.”, - theksoi presidenti i Francës, Emanuel Makron.
“Do të ishte gabim katastrofal nëse do të kishte goditje ndaj bazave amerikane, do të ishte gabim nëse mbyllet ngushtica e Hormuzit. I ftoj të tërhiqen, ta heqim pengesën diplomatike, të bëhemi serioz dhe ta qetësojmë këtë punë.”, - u shpreh Dejvid Lami nga MPJ i Britanisë.
“Bota që moti është pajtuar që Iranit nuk mund t’i lejohet të ketë armë bërthamore. Aksioni i ShBA-së ishte i orientuar në lokacione specifike. Nuk dëshirojmë luftë të plotë, dëshirojmë diplomaci, dialog dhe deeskalim.”, - theksoi kryeministri i Australisë, Entoni Albaneze.
Ministri i Jashtëm iranian, Abas Araghchi, ka udhëtuar drejt Moskës për ta takuar presidentin Vladimir Putin. Vizita vjen vetëm 48 orë pas sulmit amerikan ndaj objekteve kryesore bërthamore të Iranit. Në këtë situatë të re të rrezikshme, konsultimet tona me Rusinë sigurisht që mund të jenë me rëndësi të madhe, ka thënë ministri iranian pas mbërritjes në Moskë.
FLORIJE KAMBERI
