Maqedoni

Arsovska: Kërcënon investitori i ndërtesës 12-katëshe në Çair

23.06.2025 17:36

Investitori i ndërtesës 12-katëshe në Çair ka kërcënuar personalisht kryetaren e Shkupit, Danella Arsovska...

Investitori i ndërtesës 12-katëshe në Çair, për të cilën kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska, pretendon se është ndërtuar pa leje, pa projekt dhe pa pagesë të taksave komunale, e ka kërcënuar personalisht, për çka ajo e ka njoftuar policinë.
Në një komunikatë për media, Arsovska thekson se janë ndërtuar ilegalisht 61 banesa pa leje, ndërsa ekziston përpjekje që të legalizohen në mënyrë të rreme, duke u paraqitur sikur janë ndërtuar në vitin 2011, me dokumentacion të falsifikuar nga vetë kryetari i komunës së Çairit.
 
“Bujar Azemi është kapur duke u përpjekur të lidhë në mënyrë të paligjshme ndërtesën me rrjetin e ujësjellësit, ndërkohë që tashmë ilegalisht e kishte lidhur me rrjetin elektrik. Ka bërë kërcënime serioze për të cilat është dorëzuar kallëzim në MPB. Në Prokurorinë për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit po dorëzojmë edhe një dosje tjetër me mijëra faqe falsifikimesh dhe keqpërdorimesh nga komuna e Çairit, ku janë të përfshirë funksionarë dhe të punësuar në këtë komunë.”, thekson Arsovska.