Maqedoni

1 vit qeverisje e koalicionit “VMRO-VLEN-E Di”, Mickoski: Maqedonia, përsëri krenare

23.06.2025 21:26

Qeveria, përmes një eventi të përgatitur, shënoi njëvjetorin e punës së saj...

Qeveria, përmes një eventi të përgatitur, shënoi njëvjetorin e punës së saj. Me moton „Po vjen koha e Maqedonisë! Po i ndërtojmë themelet e ndryshimeve“, Kryeministri Hristijan Mickoski, në fjalimin e tij të mbajtur me këtë rast, tha se me punën e kësaj qeverie, Maqedonia e Veriut bëhet përsëri krenare. Shtoi se kaloi tashmë një vit i qeverisjes, i cili ishte i përmbushur me shumë sfida, punë të palodhshme dhe me një rezultat solid. Ai pret që në vitin e dytë të qeverisjes të ketë trefishim të projekteve të realizuara, standard më të lartë jetësor, luftë pa kompromis kundër korrupsionit, si dhe rritje të investimeve të huaja kapitale në vend.
 
“Sërish nga fillimi ndërtojmë themele, nga fillimi vendosim shtylla dhe i përforcojmë ato që janë vënë më herët. Këto themele paraqesin fundamentin e një ardhmërie të re, të cilën bashkërisht e ndërtojmë, për të ardhmen më të mirë të çdo qytetari. Ato themele duhet ta sjellin kohën për Maqedoninë. Ajo për të cilën çdo ditë shprehim dëshirë ta shohim, çdo ditë përpiqemi ta krijojmë, duke luftuar kështu hap pas hapi. Gjatë një viti qeverisje kemi rezultate të dukshme dhe kemi arritur në një bazë solide. Ajo që dua ta potencoj është se për tre herë më shumë do të rritet vëllimi i projekteve në vitin e dytë të qeverisjes. Standard më të mirë jetësor dhe arsim më cilësor, luftë kundër korrupsionit, investime, reforma në shëndetësi dhe shumë arritje të tjera. Siguruam liberalizim të plotë të mallrave nga SHBA-të, si partneri ynë strategjik.” – deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
 
Por, kështu nuk mendojnë socialdemokratët. Kryetari i saj, Venko Filipçe, vlerëson se “pas një viti të qeverisë së re, situata me ekonominë është alarmante”, ndërsa Maqedonia është poshtëruar ekonomikisht.
 
“Sot pas një viti qeverisjeje të VMRO-DPMNE-së, VLEN-it dhe Lëvizjes “E di”, e vërteta është e dhimbshme,  Maqedonia nuk është krenare, Maqedonia është e poshtëruar. Të poshtëruar dhe nënvlerësuar janë bujqit, punëtorët,të rinjtë të cilët po shpresonin se do të kenë një të ardhme më të mirë në vendlindje.  Një vit ishte i mjaftueshëm për të parë se VMRO-DPMNE erdhi në pushtet përmes një gënjeshtre të madhe dhe këtë gjë  e shohin qytetarët.  Nuk ka krenari pa paga dinjitoze dhe perspektivë më të mirë për të rinjtë, me institucione të partizuara dhe drejtësi, e cila vlen për të gjithë, përveç për funksionarët e pushtetit. VMRO-DPMNE, “E Di” dhe VLEN e zhytën vendin në  krizë të  thellë ekonomike. E bllokuan rritjen e pagave, duke i lënë tregtarët dhe të fuqishmit të bëjnë çfarë të duan me çmimet, u rrit çmimi i nxehjes qendrore, rrymës, ndërkohë qytetarët druajnë të hapin faturat e tyre për të parë se sa duhet të paguajnë çdo muaj.”, - theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
 
Më 23 qershor të vitit të kaluar, me 77 vota “për” dhe 22 “kundër”,  u zgjodh Qeveria në krye me Mickoskin e përbërë nga koalicioni qeveritare VMRO-DPMNE, VLEN dhe Lëvizja “E di”.  Kundër  kësaj qeverie votuan LSDM, E Majta, ndërsa Fronti Evropian pak para votimit aso kohe braktisi seancën. 
 
MERITA GASHI