Botë
Izraeli dhe Irani ranë dakord për armëpushim
24.06.2025 12:03
Izraeli dhe Irani e kanë pranuar armëpushimin që fillimisht u njoftua nga presidenti amerikan, Donald Tramp, për t’i dhënë fund luftës 12-ditore....

Izraeli dhe Irani e kanë pranuar armëpushimin që fillimisht u njoftua nga presidenti amerikan, Donald Tramp, për t’i dhënë fund luftës 12-ditore. Pranimi i marrëveshjes nga të dyja palët erdhi pasi Teherani e kreu sulmin e fundit raketor ndaj Izraelit, si pasojë e së cilës humbën jetën katër njerëz në orët e hershme të mëngjesit të së martës, ndërkohë që Izraeli kreu bombardime në të gjithë Iranin para agimit.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, ka bërë të ditur se Izraeli është pajtuar me armëpushimin dypalësh me Iranin, në bashkërendim me presidentin Tramp. Netanjahu të hënën në mbrëmje e kishte njoftuar kabinetin e sigurisë së Izraelit se vendi ka arritur të gjitha synimet ushtarake në operacionin 12-ditor kundër Iranit, përfshirë eliminimin e kërcënimit nga programet bërthamore dhe raketore balistike të Iranit.
“Izraeli do të përgjigjet me forcë ndaj çdo shkeljeje të armëpushimit.”, ka thënë Netanjahu.
Edhe Televizioni Shtetëror i Iranit raportoi se armëpushimi hyri në fuqi në orën 07:30 të mëngjesit. Paraprakisht presidenti amerikan Tramp bëri të ditur se armëpushimi midis Izraelit dhe Iranit është tani në fuqi dhe u kërkoi të dyja vendeve të mos e shkelin atë.
"Armëpushimi tani është në fuqi. Ju lutem mos e shkelni!" shkroi Trampi në një postim në Truth Social.
“Urime për të gjithë. Izraeli dhe Irani arritën marrëveshje për një armëpushim të plotë, që do të hyjë në fuqi përafërsisht gjashtë orë. Pas kësaj, Izraeli dhe Irani do të finalizojnë marrëveshjen përfundimtare për paqe dhe pas 12 orësh lufta do të konsiderohet zyrtarisht e përfunduar.”, theksoi presidenti amerikan i ShBA-së, Donald Tramp.
Uashingtoni thotë se janë arritur qëllimet që Irani të mos ketë armë bërthamore.
“Tani Irani nuk është në gjendje të prodhojë armë bërthamore me pajisjet që ka, sepse ne i kemi shkatërruar ato. Kjo është një gjë shumë, shumë e madhe. Kjo do të thotë se duhet të bisedojmë me Iranin dhe, natyrisht, me Izraelin për atë që sjell e ardhmja, sepse megjithëse e kemi shkatërruar programin bërthamor iranian, shpresa dhe pritshmëria jonë është të ndërtojmë një marrëveshje afatgjatë për paqe në këtë rajon.”, - theksoi nënpresidenti i ShBA-së, J.D. Vance.
Bashkësia ndërkombëtare menjëherë e ka përshëndetur armëpushimin izraelito-iranian.
“Po përballemi me një spirale dhune që e vë rajonin në rrezik dhe mund të ketë pasoja shumë serioze. Prandaj bëjmë thirrje për përmbajtje, ndaljen e sulmeve nga të gjitha palët dhe rikthimin në negociata.”, - deklaroi ministri i Jashtëm i Francës, Zhan-Noel Barro.
“Dëshirojmë të shohim dialog dhe diplomaci si zëvendësim për çdo përshkallëzim dhe e mirëpresim me kënaqësi njoftimin e presidentit Tramp.”, - u shpreh kryeministri i Australisë, Entoni Albanese.
“Japonia konsideron se deeskalimi i situatës është çështja më e rëndësishme. Jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për çdo akt hakmarrjeje dhe shpresojmë vazhdimisht që të rihapet rruga për dialog, përfshirë edhe bisedimet ndërmjet ShBA-së dhe Iranit.”, - deklaroi sekretari i Kabinetit qeveritar japonez, Joshimasa Hajashi.
Lufta filloi me sulmin e Izraelit ndaj Iranit më 13 qershor. Tel Avivi pretendonte se dëshironte të parandalonte Teheranin nga ndërtimi i një bombe bërthamore. Irani u kundërpërgjigj me sulme, ndërsa ShBA-ja u përfshi në luftë të shtunën, me sulme mbi tre objekte bërthamore iraniane, pas të cilave Teherani u kundërpërgjigj me sulme ndaj një baze ushtarake amerikane në Katar.
REXHEP QAMILI
