Botë
Nga sulmet izraelite u vranë 25 palestinezë, apelohet për armëpushim në Gazë
24.06.2025 13:31
Forcat izraelite kanë hapur zjarr ndaj qindra njerëzve që i prisnin kamionët me ndihma në pjesën qendrore të Rripit të Gazës...

Forcat izraelite kanë hapur zjarr, përfshirë edhe dronë, ndaj qindra njerëzve që i prisnin kamionët me ndihma në pjesën qendrore të Rripit të Gazës në orët e hershme të mëngjesit të së martës, duke i vrarë të paktën 25 njerëz, njoftojnë mediat ndërkombëtare, bazuar në informata të dëshmitarëve palestinezë dhe njoftimeve spitalore. Ushtria izraelite nuk ka njoftuar për këto sulme.
Spitali “Avda” në kampin e refugjatëve Nuseirat, që pranoi viktimat, tha se palestinezët po prisnin kamionët në rrugë kur u sulmuan. Spitali “Avda” po ashtu tha se edhe 146 palestinezë të tjerë u plagosën. Mes tyre, 62 ishin në gjendje kritike dhe u transferuan në spitale të tjera në Gazën qendrore. Pas njoftimit për armëpushim midis Izraelit dhe Iranit, kanë ardhur edhe “thirrjet për armëpushim në Gazë”. Jair Lapid, kreu i partisë kryesore opozitare izraelite “E ardhmja është këtu”, në llogarinë e tij në rrjetet sociale ka shkruar se është koha për të përfunduar konflikti edhe në Gazë.
“Tani është radha e Gazës. Është koha për të përfunduar gjërat edhe këtu, për të sjellë të burgosurit (izraelitë), për t’i dhënë fund luftës. Izraeli duhet të fillojë rindërtimin.”, shkruan Lapid.
Edhe në një deklaratë të publikuar në platformën e familjeve të izraelitëve të burgosur në Rripin e Gazës u kërkua se armëpushimi “duhet të përfshijë edhe Gazën”.
“Kushdo që mund të bëjë një armëpushim me Iranin mund ta ndalë edhe luftën në Gazë. Pasi humbi gjumin për 12 net për shkak të Iranit, populli izraelit do të fillojë përsëri të mbetet pa gjumë për të burgosurit në Gazë”, thuhet në deklaratë.
Që nga 7 tetori i vitit 2023, në Gazë janë vrarë 56.000 njerëz, shumë prej tyre gra dhe fëmijë.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
