Rajon
Kurti: Opozita po e bllokon konstituimin e institucioneve
24.06.2025 14:04
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë sërish fajtorë partitë opozitare për atë se institucionet e reja ende nuk janë konstituuar...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë sërish fajtorë partitë opozitare për atë se institucionet e reja ende nuk janë konstituuar. Kurti njëherit ka theksuar se nuk ka shpjegim racional për këtë bllokim nga ana e opozitës.
“Çdo opozitë demokratike përpiqet që t’ia shkurtojë mandatin Qeverisë. Përveç opozitës kosovare, e cila, siç jeni dëshmitarë të gjithë ju, po e zgjat mandatin e qeverisë aktuale. Unë nuk kam shpjegim racional për këtë sjellje nëpër të cilën po kalojnë institucionet e Kosovës, në veçanti Kuvendi i pathemeluar, sepse Qeveria është në detyrë.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti njëherësh përsëriti qëndrimin për zgjedhjen e kryeparlamentarit me votim të fshehtë.
“Sa më herët që e konstituojmë Kuvendin, duke e formuar me votim të fshehtë kryesinë e Kuvendit, aq më shpejt do të jemi edhe te qeveria e re.”,- theksoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Përderisa kryeministri në detyrë Albin Kurti i bën fajtorë partitë opozitare, këto të fundit për 36 dështimet e seancës konstituive të Kuvendit, fajin e kanë parë te Lëvizja Vetëvendosje. Deputetët përpjekjen e 37-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës do ta bëjnë të mërkurën në ora 11:00.
GYLTENE SINANI
